Mungon i Akuzuari në Gjykimin për Terrorizëm

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ishte e paraparë që sot të mbahej seanca gjyqësore ndaj Valon Shalës, Ardian Mehmetit, Genc Selimit, Nuredin Sylejmanit dhe Musli Hysenit.

Ata akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si edhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

Për shkak të mungesës së Ardian Mehmetit, kryetarja e trupit gjykues u detyrua ta shtyjë seancën. Ajo tha se do të kërkojë sqarime pse nuk është sjellë i akuzuari në seancë nga paraburgimi.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani në seancat e kaluara pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje, ndërsa u deklaruan të pafajshëm për akuzat tjera.

Kryetarja e trupit gjykues tregoi se kësaj lënde i është bashkuar me aktvendim edhe i akuzuari Musli Hyseni që ngarkohet për armëmbajtje pa leje, moslajmërim të përgatitjes së veprave penale dhe moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre.

Seanca e këtij gjykimi u shty për 29 janar 2016.

Pjesë e kësaj aktakuze ka qenë edhe Bekim Mulolli por që ndaj tij është veçuar procedura penale në seancën e kaluar.

Por një i afërm i tij, muajin e kaluar ka pranuar për KALLXO.com se Bekim Mulolli është vrarë duke luftuar krah ISIS-it në Siri.

http://kallxo.com/vritet-ne-siri-xhihadisti-kosovar-qe-nuk-iu-pranua-pendimi/