Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Mungon i Akuzuari, Shtyhet Seanca e Gjykimit për Fajde

Seanca gjyqësore në gjykimin për fajde, krim të organizuar, detyrim dhe vepra të tjera penale, nuk u mbajt për shkak të mungesës së të akuzuari me inicialet E.L.

Pse i akuzuari nuk erdhi në seancë askush nuk pati informacion. Madje, as mbrojtësi i tij.

Ky i fundit përpiqej ta kontaktonte përmes telefonit por ai nuk përgjigjej.

Pas shumë tentimeve të avokatit i akuzuari u përgjigj dhe tha se nuk mund të vijë për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjyqtari tha se do të japë urdhër që ta sjellin me polici nëse nuk vjen prapë, ndërsa i akuzuari tha: “Nuk mund të qëndroj në këmbë, jam me infuzion, nuk mundem as me vozit”.

Mbrojtësit e të akuzuarve bënë propozim që të veçohet rasti për të akuzuarin E.L. dhe sot të vazhdonte shqyrtimi gjyqësor pasi që është fjala përfundimtare dhe se u bë kohë e gjatë që po merren me këtë rast.

Mirëpo, këtë propozim prokurorja e Prokurorisë Speciale tha se nuk e pranon.

Seanca e radhës do të mbahet më 6 shkurt.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde.

Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.