Mungesë Filmash për Rëntgen në Istog

Në sportelin e Repartit të Rëntgenit të kësaj qendreje, mbishkrimi “nuk ka filma” ua bën me dije pacientëve se ky shërbim nuk ofrohet për mungesë të materialit filmik.

Shefqet Mehmetaj, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Istog thotë se problemi i mungesës së filmave për fotografime rëntgeni nuk është i ri.

“Ministria [e Shëndetësisë] nuk na ka furnizuar me filma në fakt që dy vjet…që ishte dashur sepse është në listën esenciale (të materialit shpenzues), mirëpo problemin e kemi zgjidhur duke hasur në mirëkuptim me Drejtorinë e Shëndetësisë që ka ndarë mjete për të blerë filma për ketë shërbim,” tha Mehmetaj.

Anton Gega, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Istog thotë se komuna vazhdimisht i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim me material filmik për filma të rëntgenit, mirëpo sipas tij MSh-ja nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave.

Sipas Gegës komuna ka hapur tenderë çdo vit për kontraktimin e kompanive që furnizojnë QMF-në me material filmik duke shpenzuar shumë para për këtë gjë.

“Ne si komunë kemi blerë filma të rëntgenit në mënyrë permanente dhe mund të them lirisht që shuma që kemi shpenzuar për blerjen e filmave të rëntgenit është 10 mijë deri në 12 euro në vit. Kjo ka qenë obligim i Ministrisë së Shëndetësisë,” tha Gega.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Faik Hoti zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë përmes e-malit e pranoi dhe arsyetoi mosfurnizimin me filma për rëntgen të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Istog.

“Disa QMF të Komunës së Istogut i kanë printerët e tyre specifikë për të cilët kërkohen filma që u përshtaten specifikave të tyre, e të cilët nuk janë në Listën Esenciale të Barnave dhe Materialit Shpenzues, nga e cila institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor furnizohen përmes Ministrisë,” tha Hoti.

Hoti shtoi se Ministria e Shëndetësisë po bën përpjekje për zgjidhjen e këtij problemi, në mënyrë që të lirohet Komuna e Istogut nga kjo përgjegjësi. [interaction id=”56f590d0fda229c634e98a23″]