Gjykimi i pjesëtarëve të dyshuar të Syrit të Popullit | Foto: KALLXO.com

Mungesat teknike e zhvendosin në Gjilan gjykimin për plagosjen e Azem Vllasit

Janë shpenzuar rreth 30 milionë euro donacion nga Bashkimi Europian për Pallatin e Drejtësisë, por këto nuk kanë mjaftuar që ndërtesa në periferi të Prishtinës të ofrojë zgjidhje për të gjitha çështjet.

Seanca gjyqësore në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, rreth plagosjes së avokatit Azem Vllasi, zhvendoset nga Prishtina në Gjilan.

Sipas burimeve të KALLXO.com, arsyeja e zhvendosjes së vendit të mbajtjes së seancës gjyqësore nga Prishtina në Gjilan është për shkak se gjatë kësaj seance gjyqësore është e paraparë që të dëgjohen tre dëshmitarë të mbrojtur.

Pasi që Gjykata e Gjilanit është e kompletuar me pajisje teknike për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, kjo seancë gjyqësore do të mbahet atje.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast  më 28 shkurt.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë  vepra penale  duke filluar  hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.