Qendra shëndetësore e fshatit Prevallë - Foto: BIRN

Mungesa e mjekëve shton dhimbjet e pacientëve në zonat rurale

Sipas të dhënave të Observatorit Global të Shëndetit në Shqipëri ka 1.2 mjekë për 1000 banorë dhe raporti mami/infermierë është 3.6 për 1000 banorë. Këto shifra janë më të ulëtat në rajonin e Ballkanit dhe poshtë mesatares së Bashkimit Europian.

Por megjithatë edhe këto burime të pakta njerëzore janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, për shkak të mungesës së specialistëve dhe shërbimeve në spitalet rajonale, si dhe të mjekëve dhe infermierëve ne qendrat shëndetësore dhe ambulancat e fshatrave.

Këto mungesa janë edhe më të theksuara në zonat e thella malore të rajoneve si Librazhdi dhe Përrenjasi, dy bashki që kanë një territor me shtrirje të madhe gjeografike dhe infrastrukturë të dobët rrugore. Banorët e këtyre zonave ankohen se për shkak të distancave nga qendrat shëndetësore dhe mungesat e mjekëve – një pjesë e të cilëve po emigrojnë në vendet e pasura të BE-së si Gjermania, po hasin vështirësi në rritje të kenë akses në sistemin shëndetësor.

“Zona jonë prej vitesh vuan mungesën e mjekëve dhe infermierëve,” shprehet Liman Qeti nga fshati Prevallë i njësisë administrative Lunik në bashkinë e Librazhdit. “Infermierja e caktuar vjen njeherë në jave dhe ne kur sëmuremi e marrim në telefon ose duhet të sëmuremi kur të vijë infermierja ose mjeku,” shtoi Qeti, duke përmbledhur frustrimin e banorëve të zonës.

Intervistat me banorë të fshatrave të thellë të Librazhdit dhe Përrenjasit tregojnë se mbulimi me burime njerëzore i ambulancave është sporadik dhe ato pak mjekë të mbetur duhet të mbulojnë shumë fshatra njëherazi, çfarë e vështirëson punën e tyre dhe redukton aksesin që kanë pacientët – të cilët shpesh i drejtohen spitaleve bashkiake për urgjenca.

BIRN iu drejtua me kërkesa të detajuara për informacion të bazuara në ligjin ‘Për të Drejtën e Informimit’ drejtuesve të qendrave shëndetësore në njësitë administrative të bashkive Librazhd dhe Përrenjas, në lidhje me pajisjet, shërbimet dhe evidencat e burimeve njerëzore, por shumica prej tyre nuk kthyen përgjigje. Ndërkohë, drejtoresha e qendrës shëndetësore në njësinë administrative Qendër, Margarita Hasa e refuzoi kërkesën.

Gjithashtu Drejtoria e Shëndetit Publik Elbasan dhe Drejtori i Shëndetit Publik Librazhd, nuk iu përgjigjën një kërkese të ngjashme për informacion të dërguar me 4 qershor, duke tejkaluar afatet dhe në shkelje të detyrimeve ligjore.

Treguesit e sistemit shëndetësor

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, në vitin 2017 në Shqipëri numëroheshin 413 qendra shëndetësore, të degëzuara 2022 ambulanca dhe 46 poliklinika specialitetesh. Numri i vizitave gjithsej në shërbimin parësor gjatë vitit është 7.9 milionë, mesatarisht 3 kontakte për person në vit me mjekun.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit, Greqia ka numrin më të madh të mjekëve, më një mesatare 6.2 mjekë për 1000 banorë, e ndjekur nga Bullgaria me 3.3, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Shkencave nëpërmjet projektit ‘Open Data’ treguesi i mbulimit të popullatës me mjekë ka shënuar një rënie prej 17.5 % në Shqipëri dekadës së fundit, nga viti 2000 kur në Shqipëri kishte 1.39 mjekë për banorë e deri në vitin 2007 kur kjo shifër u ul në 1.15 mjekë për 1,000 banorë.

Sipas të dhënave të ‘Open Data’ rënie kanë shënuar edhe tregues të tjerë të rëndësishëm, si numri i shtretërve spitalorë për 1000 banorë. Në qoftë se në vitin 1983 numri i shtretërve spitalorë ishte 4.9 për 1000 banorë, në vitin 2007 ky tregues ka zbritur në 2.92 për 1000 banorë.

, jo të gjithë këto shtretër janë njësoj, si për nga shërbimi por edhe për nga kostot për taksapaguesit. Një analizë e botuar nga BIRN në mars, zbuloi se spitalet bashkiake, edhe pse të braktisura nga mjekët dhe specialistët, u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë disa herë më shtrenjtë për çdo pacient të trajtuar sesa spitalet universitare të Tiranës.

Spitalet bashkiake, sidomos ato larg qendrave të mëdha urbane, kanë pasur dhe një hemoragji të mjekëve dhe specialistëve, pasi qindra syresh kanë emigruar gjatë viteve të fundit për të punuar në vendet e BE-së – kryesisht në Gjermani. Sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj, 145 mjekë janë larguar për të punuar jashtë Shqipërisë në vitin 2016, nga të cilët 114 janë mjekë të përgjithshëm dhe 31 janë mjekë specialistë. Nëse do të shohim vitet e tjera, për vitin 2015 numri i mjekëve të larguar është 120 dhe në vitin 2014, 132 mjekë janë larguar nga vendi.

Mungesa e mjekëve specialistë në pothuajse të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit e ka shtyrë qeverinë të nisë një program patronazhi, por aktorët e sistemit të shëndetësisë këmbëngulin se nevojiten zgjidhje afatgjata.

Shërbimi shëndetësor me kohë të pjesshme

Pas ndarjes administrative të vitit 2015, Librazhdi dhe Përrenjasi u ndanë në dy bashki – të cilave iu bashkangjitën dhe 9 ish komuna për të krijuar një popullatë 77,132 banorë. Bashkia Librazhd ka 5 njësi administrative të përbëra nga 52 fshatra, ndërsa Përrenjasi ka 4 njësi administrative me 24 fshatra.

Por edhe pse gjatë dekadës se fundit ka pasur investime në rikonstruksionin e qendrave shëndetësore dhe ambulancave nëpër fshatra, jo gjithkund kushtet janë të përshtatshme apo shërbimi në nivelin e duhur – kjo më së shumti thonë banorët për shkak të mungesës së mjekëve ose prezencës së tyre me kohë të pjesshme në shërbim të komunitetit.

Mungesa e mjekut në fshatrat malore bëhet dhe më problematike gjatë periudhës së dimrit. Në një rast të tillë dimrin që shkoi, një pacient nga fshati Sopot, Talil Facja, u desh të evakuohej me helikopter në spitalin bashkiak të Librazhdit, për shkak të mungesës së mjekut dhe infermierës në fshat.

Rigels Blloshmi, 28 vjeç nga fshati Fanjë i Librazhdit nuk e pati luksin e një mjeti aq të shpejtë dhe efikas se helikopteri kur prindërit e tij u sëmurën, duke nënvizuar se shumë herë babain dhe nënën e ka dërguar në qendrën shëndetësore të Qukësit në krahë ose me mushka, sepse terreni është i vështirë.

Situata është e ngjashme edhe në fshtrat malorë të Përrenjasit fqinj. Pishkashi dhe Skroska janë dy nga fshatrat më të mëdhenj në njësinë administrative të Qukësit në bashkisë e Përrenjasit me një popullësi të marrë së bashku prej më shumë se 2500 banorësh. Gjatë komunizmit këto fshatra ishin qendra të rëndësishme minerare, por pas rënies së regjimit minierat u mbyllën dhe zona filloi të varfërohej dhe rrugët të shkatërrohen, ndërkohë që shërbimet sociale dhe mjekësore u shkatërruan.

Kreyplaku i fshatit Skorskë Shaban Ymeri, shprehet se edhe një mjek me kohë të pjesshme që fshati e kishte dikur tani nuk e ka më.

“Në fshatin tonë shëndetësia është lënë pas dore dhe deri më tani kemi pasur mjekë sezonalë të cilët herë pas here edhe dukeshin dhe na kryenin ndonjë shërbim. Tani kemi mbetur gjithë ky fshat pa mjek, mjekët largohen se ky është fshat i largët dhe as atyre nuk iu leverdis ndoshta të vijnë kaq larg,” tha 67 vjeçari Ymeri

“Ajo mjekja që kemi pasur përveç se vinte shumë rrallë dhe nuk i përgjigjej kërkesave tona, tani ka ikur fare dhe gjithë dokumentacioni i ka kaluar mjekut të zonës Sefer Malos i cili përveç Skroskës ka edhe gjashtë fshatra të tjerë. Çfarë mundet të bëjë një mjek më kaq ngarkesa të numrit të lartë të banorëve,” pyet Ymeri.

Ymeri nënvizoi që komuniteti që ai drejtonte e kishte shumë të nevojshëm prezencën e një mjeku.

“Para një muaji me ndihmën e një biznesmeni të zonës lidhëm energjinë elektrike në ambulancën e Skroskës, por prapë ajo është jofunksionale përderisa aty nuk ka një mjek. Infermierja nuk ka çfarë bën, në një rast urgjence duhet mjeku sepse infermierja nuk është e aftë ta përballojë,” shprehet ai.

“Skroska është një fshat i largët dhe në një rast emergjence nga mungesa e mjekut pasojat mund te jenë fatale për jetën e njeriut dhe raste të tilla kemi pasur plot prandaj një mjek është shumë i nevojshëm,” tha ai.

Ymeri tregon se sipas informacioneve që ai ka mjekja e Skroskës ka emigruar në Gjermani dhe e njeta gjë ka ndodhur dhe me mjekun e fshatit fqinj Pishkash.

Sipas informacioneve që kam edhe mjeku Pishkashit ka dhënë dorëheqje, si mjekja e Skroskës edhe ai ka shkuar ne Gjermani dhe me neve si banorë nuk di çdo bëhet, dimë vetëm që jemi në dorë të zotit.

“Me neve si banorë nuk di çdo të bëhet, dimë vetëm që jemi në dorë të zotit,” përfundoi ai.

Përveç mungesës së mjekut, energjia elektrike dhe kushtet e ambulancës janë gjithashtu një problem për fshatin Pishkash i Veriut, tregon 35 vjeçarja Sanije Mekshi, e cila shprehet se për vizita, dokumentet e nevojshme dhe vaksinimin e fëmijëve shkojnë në ambulancën e fshatit Pishkash.

“Në fshatin tonë kemi shumë probleme përsa i takon ambulancës, kushtet e ambulancë janë skandaloze, ju do ta shikoni vetë, aty energjia elektrike mungon, për ujë as që bëhet fjalë, banjoja është jashtë çdo standarti të higjienës,” tha ajo.

“Te ambulanca e fshatit nuk shkojmë sepse përveç kushteve këtu nuk ka as mjek. Kemi dëgjuar që mjeku ka shkuar në Gjermani dhe për një rast urgjence kemi një infermiere të cilën e kërkojmë ose marrim makinë të na dërgojë në spitalin e Librazhdit ose Përrenjasit – por zakonisht më shumë në Librazhd pasi ka mekë më të specializuar dhe më të mirë,” tregoi Sanija.

Mungesa e ambulancës në Pishkash Veri shihet me problem dhe nga 60 vjeçari Hasan Skura, i cili shprehet se distanca që duhet përshkruar për t’i transportuar pacientët në spitalin bashkiak të Përrenjasit është e madhe, çfarë i rrezikon atyre edhe jetën.

“Ne jemi një fshat i madh dhe e kemi të nevojshme një ambulancë funksionale, të pasur me ilaçe për çdo rast emergjence sepse distanca nga këtu deri në Spitalin e Përrenjasit është e madhe dhe çdo rast emergjence, çdo vonesë mund te ketë pasoja fatale,ku një rol luajnë edhe rrugët të cilat janë jashtë standardit dhe është vështirë edhe lëvizja me automjete,” shprehet ai.

“Sot që po flasim e kemi një ndërtese si ambulancë fshati, është rikonstruktuar, por ajo nuk ka energji elektrike, ujë dhe medikamentet bazë. Mjeku mungon prej një kohe të gjatë, në fakt nuk e di as a duhet të vijë mjeku i familjes këtu në fshat, si duhet ti mbajmë kontaktet me mjekun dhe nëse vjen a duhet të ketë ndonjë ditë të caktuar,” shtoi ai.

Bashkëfshatari i tij Shefqet Ndërgjoni shprehet se për shkak të mungesës së ambulancës ato i drejtohen edhe për shërbimet bazë si recetat dhe referimet te specialisti infermierisë në Pishkash, por ngarkesa e mjekut atje e bën më të lehtë që të shkojnë te privati.

“Duke parë situatën është më e lehtë të shkosh të vizitohesh me pagesë se sa të sorollatesh nëpër infermieritë apo mjekët e familjes për një rekomadim të tillë,” tha ai. “Ka raste që sëmuremi edhe nuk kemi mundësi të presim kur të marrim një letër të mjeku i familjes dhe zgjedhim rrugën më të shkurtër shkojmë direkt në spital, ku më pas fillojnë dhe peripecitë e pagesave nën dorë, ose te sporteli,” shtoi Ndërgjoni.

Mungesa e mjekut në fshatra është veçanërisht problematike për banorët e moshës së tretë, te cilët kanë nevoja më të mëdha për shërbim shëndetësor.

“Shumë keq jemi për mjekun, është shumë larg dhe unë si e moshuar nuk mundem të shkoj të bëj një vizitë ,të marr recetë apo gjilpërë deri në fshatin tjetër,” tha 60 vjeçarja Esma Kopula.

“Ajo doktoresha që kemi pasur ne në Skroskë ka ikur në Gjermani por edhe me përpara shumë rrallë vinte dhe gjithë punën e saj e bënte infermierja e fshatit. Kemi nevoje për një mjek për infermiere të vijnë të na bëjnë gjilpëra se jemi pleq – ku te drejtohemi dhe ku të ankohemi,” përfundoi ajo. (reporter.al)