Mungesa e Mjekes Gjatë Orarit të Punës në Klinë

Në këto ditë të nxehta kur qytetarët kanë nevojë të vizitohen nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare për shkak të viruseve të ndryshme dhe vapës së madhe, ata duhet të presin për shkak se mjekët nuk gjenden në vendet e tyre të punës edhe pse koha e pushimit ka kaluar.

Një qytetar e ka dërguar në KALLXO.com një video ku shihet se doktoresha përgjegjëse nuk gjendet në vendin e punës, edhe pse orari i pushimit të cilën ajo e ka paralajmëruar në derën e zyrës së saj ka kaluar.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Klinës ka thënë për KALLXO.com se në video, saktësohet ora, titulli dhe emri i punonjësit shëndetësor të QKMF-së “Nënë Tereza” në Klinë dhe shihet ordinanca e zbrazët.

“Natyrisht që një veprim i tillë është i palejueshëm dhe joligjor dhe për këtë çështje edhe në të kaluarën janë marrë masat e nevojshme disiplinore në përputhje me ligjin në QKMF-në klinase”, ka thënë Gashi.

Gashi është shprehur se në këtë rast, drejtoresha e QKMF-së, Dr. Drita Gjergji, do të duhej të merrte menjëherë masat e nevojshme dhe të tregojë se për çfarë arsye stafi shëndetësor, të cilin e menaxhon ajo në mënyrë të drejtëpërdrejtë, nuk gjendet në punë gjatë orarit të punës.

“Nëse nuk bëhet kjo, sapo të kthehem nga pushimi vjetor, do të veproj në bazë të ligjit dhe ju do të njoftoheni më masat e ndërmarra, sepse çdo ditë duhet të ngrisim përgjegjësitë dhe transparencën në punët dhe detyrat tona, e jo t’i ulim ato në kohën kur kemi fluksin e madh të pacientëve, në pikën e verës” përfundoi Gashi.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me drejtoreshën e QKMF-së “Nënë Tereza” në Klinë, dhe të marrë përgjigje prej saj se ku ndodhej punëtorja e saj gjatë atij orari, por ajo e ka pasur të mbyllur telefonin.