Mungesa e kuorumit shtynë mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik

Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal kishte paraparë që sot të bënte shqyrtimin e Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2018, por për shkak të mungesës së anëtarëve të komisionit kjo mbledhje u shty për një herë tjetër.

Sala Berisha-Shala, kryetare e komisionit tha se mungesa e deputetëve në një komision të tillë është e pakuptueshme.

Ajo shtoi se shtyrja e votimit të ligjit për miniera dhe minerale në seancat e njëpasnjëshme të kuvendit tregon qartë rëndësinë që ka për deputetët çështja e minierave.

“E pakuptueshme është vonesa e deputetëve, sepse ka më shumë se një vit e gjysme ligji për miniera e minerale, mendoj se duhet të prioritizohen çështjet e minierave dhe mineraleve. Ky ligj është duke u shtyrë nga njëra seancë në tjetrën. Kam pritur sot nga kolegët e mi sidomos ata të opozitës, ta shoh a e kanë analizuar këtë raport”, tha Berisha-Shala.

I pranishëm në këtë komision ishte vetëm deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Zharku.