Mungesa e dëshmitarit e dështon seancën për dorgë e trafikim me migrantë

Gjykimi ndaj Dardan Blakaj, Shaban Ramaj, Ardisan Zogaj dhe Shefqet Zogaj, të akuzuar për veprat penale që lidhen më narkotikë dhe kontrabandë me migrantë është shtyrë në mungesë të dëshmitarit.

Në seancwn e sotme ishte paraparw të dëgjohet dëshmitari Admir Murati, mirëpo mungesa e tij, bëri që seanca të dështoj.

Trupi gjykues në fillim të seancës deklaroi se dëshmitari nuk është prezent.

“Dëshmitari mungon, për seancën e shqyrtimit gjyqësorë ka qenë i njoftuar përmes prindit të tij, por i njëjti nuk e ka arsyetuar mungesën”, tha gjykatësi Vesel Ismajli.

Prokurorja Bukurije Gjonbalaj deklaroi se mbetet pranë propozimit për dëgjimin e dëshmitarit, me arsyetimin se nuk ka arsye se i njëjti të mos dëgjohet, më tutje ajo shoti se sipas informatave i njëjti gjendet në Prishtinë, mirëpo adresa e tij nuk dihet.

Mbrojtësja e të akuzuarit Shefqet Zogaj, avokatja Aurora Mulhaxha e kundërshtoi në tërësi propozimin e prokurorisë, si dhe i propozoi trupit gjykues të vazhdohet me administrimin e provave.

“Nga akti akuzues kanë kaluar tetë vite dhe ende nuk është vërtetuar asnjë fakt bazik. Mbes pranë propozimit që deklaratat e dëshmitarit të lexohen nga trupi gjykues, si dhe të vazhdohet me administrimin e provave”, tha avokatja Mulhaxha.

Më tutje prokuroja Gjonbalaj theksoi se dëshmitari Admir Murati është dëshmitar kyç dhe se nga i njëjti do të vërtetohet qëllimi i tentimit të shkuarjes së tij në Shqipëri, si dhe kërkesën që ia kanë bërë për substancat narkotike.

Kryetari i trupit gjykues e aprovoi propozim e prokurores, dhe shtoi se Gjykata do lëshoj urdhër për sjelljen e dëshmitarit në seancën e radhës.

Të akuzuarit ishin të ngarkuar edhe për veprat penale, armëmbajtje pa leje dhe falsifikimit të dokumenteve, mirëpo për këto dy vepra ndaj tyre ka pushuar procedura.

Në seancat e kaluara  gjykatësi Vesel Ismajli,  ka deklaruar se vepra penale e armëmbajtjes pa leje është amnistuar në ndërkohë me Ligjin për Amnisti, kurse, për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, veçse është arritur parashkrimi absolut.

Sipas aktakuzës së  ngritur nga ish Prokuroria e Qarkut në Prishtinë  me 15 qershor të vitit 2012 të pandehurit Dardan Blakaj, Shaban Ramaj, Shefqet Zogaj dhe Ardisan Zogaj nga fundi i muajit qershor të vitit 2011, në bashkëkryerje me qëllim vetit t`i sjellin përfitime pasurore të kundërligjshme, ishin marrë vesh në mes veti për trafikim të substancave narkotike.

Sipas Aktakuzës të akuzuarit kishin arritur të sigurojnë dhe shisnin rreth 50 gram,  substanca kokainë, dhe kanë kontaktuar dhe bashkëpunuar edhe me persona jashtë Kosove, si në Shqipëri, Turqi, me qëllim të trafikimit ndërkombëtar të narkotikut, me çka kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje, dhe shitjen e pa autorizuar e narkotikeve.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Shaban Ramaj dhe Dardan Blakaj me qëllim që vetit t`i sjellin dobi pasurore janë marrë me trafikim me migrantë.  Sipas aktakuzës të akuzuarit të dëmtuarve Arianit Bajraktari dhe Adnan Geci, pasi që ju kanë marrë një sasi të konsiderueshme parash, gjoja për t`i dërguar në Amerikë, i kanë dërguar në aeroport në Turqi, dhe pas dështimit pas dy muajve të njëjtit janë kthyer në Kosovë, me çka kanë kryer veprën penale kontrabandë me migrantë.

Më tutje sipas aktakuzës të pandehurit Dardan Blakaj dhe Shaban Ramaj dyshohen se janë marrë për falsifikimin e dokumenteve, pasaportave biometrike, sigurimin e vizave, duke i mashtruar Fatmir Maxhunin, Shpend Salihu, Artan Abitin dhe Visar Jasharin, nga të cilët kanë marrë para. Mirëpo nuk kanë arritur që t’iu sigurojnë dokumentet me çka kanë kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve.

Prokuroria gjithashtu i kishte ngarkuar të akuzuarit Dardan Blakaj, Shaban Ramaj dhe Ardisan Zogaj, edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontrollim ose shfrytëzim të armëve.