Paneli për diskutimin e kontratave të dëmshme për Kosovën, Foto: Kallxo.com

Mujota: 53 milionët për Bechtel & Enkën mund të negociohen ende

Sipas raportit “Kontratat e dëmshme të Kosovës, kush ka faj?”, të realizuar nga Instituti Riinvest, shkeljet më flagrante janë bërë në pesë kontratat e mëdha, në kontratën me Bechtel & Enka-n për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, kontrata me Dardafonin (e njohur si Z-Mobile), kontrata e Ministrisë së Punëve të Brendshme për pasaportat, kontrata me ACP Axos dhe procesi i privatizimit të Brezovicës.

Në secilën nga pesë kontratat të cilat sipas këtij raporti konsiderohen të dëmshme për Kosovën janë evidentuar, mungesa e profesionalizmit, mungesa e transparencës dhe keqpërdorimi.

Sa i përket kontratës me “Bechtel & Enkën”, raporti ka konstatuar se kostoja e kontratës ka qenë dyfish më e madhe se buxheti i paraparë për të, se ka pasur shkelje të ligjit të prokurimit dhe vonesa në zbatim të kontratës dhe nevoja për shtyrje të afatit.

“Për shkak se qeveria nuk e ka pranuar këtë aneks kontratë prej 15 mil, në fund të vitit te kaluar se “Bechtel & Enka” ka kërkuar 63 mil euro, pas negociatave kjo shumë ka rënë në 53 mil, po nuk dihet se si ka arritur kjo shumë”, ka thënë Alban Hashani, drejtori i Institutit Riinvest.

Kompania “Bechtel & Enka” ka kërkuar 63 milionë euro shtesë nga qeveria e Kosovës në emër të ndëshkimeve për shkak të vonesave në pagesa nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës për përfundimin e punimeve në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.

Kontrata e nënshkruar në korrik të vitit 2014 kishte vlerë prej 600 milionë euro dhe kohëzgjatje prej 3 vjet e gjysmë. Mirëpo MI, nuk arriti t’i kryejë obligimet financiare ndaj “Bechtel & Enka” ashtu siç parashiheshin me kontratë dhe si rezultat punët nuk ishin kryer në periudhën e paraparë.

Edhe pse qeveria paraprake kishte arritur akord për të paguar 14.7 milionë euro për të shtyrë afatin e zbatimit të kontratës por e njëjta marrëveshje nuk u aprovua nga qeveria.

Kompania “Bechtel & Enka” ka bërë kërkesë shtesë duke rritur vlerën e pretendimeve në 63 milionë euro për zhdëmtim si pasojë e shtyrjes së afatit të zbatimit të kontratës. Për të evituar edhe një kontest gjyqësor, qeveria e Kosovës pas negocimeve ka vendosur t’i paguaj 53 milionë euro kompanisë.

“Shuma e ndarë për “Bechtel & Enkën”, prej 53 milionë euro është pothuajse sa komplet buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2018 (60 milionë euro). Sektori i bujqësisë kontribuon me mbi 10 për qind në Bruto Produktin Vendor”, thuhet në raport.

Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota, sa i përket kontratës me “Bechtel & Enkën” për autostradën Prishtinë – Shkup, ka thënë se kur një ministër e merr një kontratë nga një ministër tjetër ai duhet ta zbatoj atë.

Mujota po ashtu ka theksuar se po të kishte qenë ai ministër nuk do të ndodhte shtyrja në pagesën ndaj “Bechtel & Enkas”.

“Po të isha ministër edhe një mandat, kontrata me “Bechtel & Enkën” nuk do të kishte asnjë defekt, për mos me pasë shtyrje qeveria është dashur ta rishikoj buxhetin për zbatimin e kontratave të mëdha, po të kisha qenë ministër do të kisha hequr dorë nga projekte që kanë peshë më pak”, ka thënë Mujota.

Mujota ka thënë se këshilltarët e ish-ministrit Zharku nuk e kanë bërë punën siç është dashur dhe se nuk ka pasur nevojë që të ketë shtyrje të pagesës.

Ai ka njoftuar se pagesa ndaj “Bechtel & Enka” ende nuk është ekzekutuar dhe se ka mundësi të negociohet.

“Ardhja e qeverisë së re me nxitim, edhe ministri aktual ka bërë hapa të nxituar. Akoma nuk ka ndodhur asnjë pagesë, ende ka afat kohor për negocim. Do të përgatitet një raport i plotë në aspektin ligjor. Shpresoj shumë se mund të evitohet arbitrazhi. Nëse nuk do të ketë një zgjidhje atëherë do të ketë pasoja politike”, ka theksuar Mujota.

Sipas raportit të realizuar nga Instituti Riinvest, mungesa e transparencës e ka karakterizuar edhe procesin e negocimit në mes të palëve pas vendimeve të arbitrazhit në rastin e kontratës së Telekomit të Kosovës me Dardafonin.

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ne seli në Londër ka vendosur se TK duhet t’i paguajë kompanisë rreth 32 milionë euro në dëme si dhe është obliguar që t’ia jap 100 mijë numra shtesë dhe shërbimet 3G dhe 4G.

Por pas një analize financiare është konstatuar se pas pagimit të gjobës TK do të hynte në krizë të thellë financiare dhe më pas palët kanë filluar të negociojnë për një marrëveshje të re me Dardafonin.

“Edhe pse sipas deklarimeve të TK-së marrëveshja e arritur ka qenë më e favorshme se pagesa e gjobës prej 30 milionë euro, qytetarët asnjëherë nuk kanë pasur mundësinë të shohin kushtet e marrëveshjet” thuhet në raport.

Sipas raportit borxhi i Telekomit të Kosovës ndaj Dardafonit prej 32 milionë euro është pothuajse i barabartë me tërë buxhetin e Universitetit të Prishtinës prej 33.8 milionë euro për vitin 2018, universitet i cili ka mbi 30 mijë studentë të regjistruar.

Pas negocimit, nga marrëveshja del se TK ka përfunduar duke i paguar Dardafonit një shumë prej 4.5 milionë euro në emër të kompensimit të shpenzimeve të procedurave juridike të zhvilluara në Tribunalin e Arbitrazhit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se ndërmarrjet publike kanë probleme shumë të mëdha dhe sipas tij ka kontrata që janë nënshkruar e që janë të dëmshme.

“Jemi duke bërë një task forcë me avokatët më të mirë, që do të bëjnë një analizë për Telekomin për disa kontrata që janë nënshkruar e që është ditur që nuk mund të zbatohen, për të cilat jemi kërcënuar që do të na çojnë në arbitrazh”, ka thënë Lluka.

Sipas tij kjo task forcë e ka për detyrë të bëjnë një opinion ligjor për secilën nga këto kontrata.

Lluka ka thënë se nëse do të kishte profesionalizëm më të madh në këtë aspekt do të kishim pasur mundësi të dalim shumë më mirë, duke iu referuar përfaqësimit në Gjykatën e Arbitrazhit për rastin kundër Dardafonit.

“Përfaqësimi i Telekomit në arbitrazh në rastin e Dardafonit ka qenë shumë i dobët, arsyetimi ka qenë i shkruar në tri faqe A4”, ka theksuar Lluka.

Mungesa e profesionalizmit, mungesa e transparencës dhe keqpërdorimi janë evidentuar edhe te kontrata e Ministrisë së Punëve të Brendshme me shtypshkronjën shtetërore austriake “Oesterreicheische Staatsdruckerei GmbH (OeSD).

Në qershor të vitit 2011, kompania në fjalë ishte kontraktuar për furnizim me pasaporta elektronike dhe pajisje teknologjike për personalizimin e dokumenteve të qytetarëve të Kosovës. Vlera e kësaj kontrate ishte rreth 14 milionë euro me kohëzgjatje prej tre vjetëve. Mirëpo pas më pak se një vit e gjysmë, si rrjedhojë e disa mosmarrëveshjeve nëpërmjet palëve, MPB-ja njëanshëm e ka shkëputur kontratën.

Në shkurt të vitit 2013, OeSD ngriti padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit me pretendimin e mos pagesës së faturave në vlerë prej 1.4 milionë euro dhe dëmet e pësuara nga ndërprerja e kontratës.

Në fund, GjNA-ja ka vendosur që qeveria e Kosovës duhet të paguajë 5.6 milionë euro dëmshpërblim.

“Vendimi për shkëputje të kontratës ishte marrë pa u konsultuar paraprakisht me njohës të fushës dhe si i tillë u konsiderua si i ngutshëm dhe i pa menduar mirë”, theksohet në raport.

Në vitin 2015 është proceduar kontesti i kompanisë ACP Axos Capital GmbH kundër qeverisë së Kosovës. Ky problem kishte filluar kur qeveria e Kosovës kishte iniciuar procesin e privatizimit të Telekomit të Kosovës.

Kompania Axos ishte shpallur fituese dhe të njëjtës i është shtyrë disa herë afati për pagesën e akorduar. Por pak para se të përfundonte afati i fundit shtesë i dhënë nga qeveria e Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në fund të vitit 2013 ishte tërhequr nga procesi i privatizimit.

Kompania Axos ka iniciuar procesin në Qendrën Ndërkombëtare për zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investime e cila në maj të këtij viti publikoi vendim në favor të qeverisë së Kosovës.

“Përkundër rezultatit pozitiv për qeverinë e Kosovës edhe ky proces është karakterizuar me mungesë totale të transparencës dhe llogaridhënies”, theksohet në raport.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se në rastin Axos, Kosova ka pasur përfaqësim profesional dhe e ka fituar rastin.

Rasti i pestë i cili trajtohet në këtë raport ka të bëj me dështimin e procesit të privatizimit të Brezovicës në vitin 2016. Procesi i tenderimit kishte kishte filluar në janar të vitit 2013, kurse fituesi ishte shpallur në fund të nëntorit të vitit 2014. Në prill të vitit 2015, ishte nënshkruar kontrata me konzorciumin fitues por megjithatë kontrata nuk ka hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit pasi filloi faza e tranzicionit prej 189 ditësh, gjatë të cilave konzorciumi fitues duhej t’i përmbushte kushtet e mbetura të parapara me kontratë.

Edhe pas shtyrjes së afateve për përmbushjen e kushteve, konzorciumi fitues nuk kishte arritur të siguroj mjetet financiare për zhvillimin e fazës së parë të projektit. Si rezultat i kësaj, Komisioni Drejtues Ndërministror kishte shpallur shkëputjen e kontratës dhe kështu projekti i Brezovicës është shpallur i dështuar.

Në këtë proces me mungesë të transparencës është karakterizuar edhe oferta, përmbajtja e së cilës nuk është bërë publike asnjëherë. Nga gjithsej katër kompanitë e para-kualifikuara vetëm një konzorcium kishte dorëzuar ofertën edhe përkundër shtyrjes së afatit për dorëzim të ofertave.

“Përkundër faktit që ishte pranuar vetëm një ofertë, dhe me gjithë rekomandimandimin e ekspertëve dhe shoqërisë civile në Kosovë  për përsëritje të procesit të tenderimit, KDNM kishte vendosur të vazhdonte me një ofertë të vetme”, theksohet në raportin e realizuar nga Instituti Riinvest.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu ka thënë se nëse ka kontrata të dëmshme, shteti duhet të padis zyrtarin që e ka nënshkruar një kontratë të tillë.

“Nëse avokatura e ka humbur rastin shteti duhet me kërku llogari prej saj, me bo padi civile. Në qeverinë e fundit po shihet prej aeroplanit që nuk ka fare përgjegjësi ndaj parasë publike”, ka theksuar Sejdiu.

Po ashtu ai ka thënë se klauzola e konfidencialitetit nuk duhet të futet në kontratat publike.