Mujka: Punimet në hotelin Adriatik pa leje të komunës

Pas vdekjes së të riut nga Mitrovica nën gërmadhat e hotelit të shembur Adriatik, nënkryetari i komunës Faruk Mujka ka deklaruar se kanë themeluar një komision për verifikimin e gjendjes në terren.

Ky komision sipas tij do t`i dorëzojë një raport organeve të rendit.

“Është një ngjarje e rëndë për gjithë komunën dhe gjithë qytetarët e Mitrovicës. Ne sot herët e kemi themelu një komision nga zyrtarët e Drejtorisë se Urbanizmit, Inspeksionit dhe Emergjencave të cilët duhet ta verifikojnë gjendjen faktike në terren sot dhe pastaj të dalin me konkluzion se cilët hapa duhet të ndërmarr komuna e Mitrovicës, dhe pastaj ky raport do t`i përcillet edhe prokurorisë, policisë”, tha Mujka.

Sipas tij objekti i shembur dje ku humbi jetën një punëtorë nën gërmadha, dhe sipas tij nuk ka patur leje për të kryer kurrfarë punimesh brenda dhe jashtë tij.

“Ky objekt është privatizuar më vitin 2005 dhe deri më tani ka qenë pothuajse jo funksional. Ne dje në mënyrë jozyrtare kemi marr vesh se punimet kanë filluar të dielën dhe të hënën gjatë ditëve të pushimit. Nuk ka asnjë kërkesë apo leje në Drejtorin e Urbanizmit. Ju e dini që pa marr parasysh a është pronë private apo jo, duhet të pajiset me leje. Asnjë kërkesë nuk ka as nga punëdhënësi as nga punëkryresi tani kjo çështje i takon prokurorisë dhe policisë”, tha Mujka.

Ai ka thënë se në rast se vije deri te një vendim për rrënimin e objektit, atëherë toka do duhej t`i takonte komunës, sepse sipas tij prona ku është hoteli i cili u shemb është e komunës.

“Neve na mbetet të japim një rekomandim se çka do të ndodh me objektin, siç e thash objekti nuk është në pronësi të komunës  është i privatizuar dhe ne mund te dalim me një rekomandim dhe sugjerim e cila pastaj pritet të marr dritën e gjelbër. Ne mendojmë se ai objekt duhet të rrënohet, por mandej duhet të shohim edhe anën ligjore. Në momentin që rrënohet ajo tokë i takon komunës së Mitrovicës”,  tha nënkryetari Faruk Mujka.

KALLXO.com transmetoi direkt konferencën e nënkryetarit Mujka – LINK

Dje nga shembja e një pjese të hotelit Adriatik humbi jetën V. B. 28 vjeçar nga Mitrovica. Kërkimet për gjetjen dhe nxjerrjen e turpit të tij zgjatën disa orë. Për këtë u angazhuan edhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

https://kallxo.com/nxirret-trupi-nga-rrenojat-e-hotelit-adriatik/

.