Gjykimi për ryshfet - Foto: KALLXO.com

Muja: Asnjëherë nuk kam marrë asnjë cent në formë ryshfeti

Në gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të Akreditimit, Basri Muja e Ferdije Zhushi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, si dhe Armend Mujës i akuzuar për marrje të ryshfetit, mbrojtjen e tyre e kanë përfunduar të gjithë të akuzuarit.

Gjatë kësaj seance gjyqësore mbrojtjen e tij e dha edhe i akuzuari Armend Muja.

Muja gjatë deklarimit të tij tha se në Kolegjin Universum ka filluar punën nga shkurti i vitit 2008, si ligjërues si dhe deklaroi se ka punuar edhe si bashkëpunëtor për të zhvilluar akademinë ndërsa nga muaji mars i vitit 2011 ai tha se ka ndërprerë çfarëdo bashkëpunimi me këtë Kolegj.

Për punët të cilat deklaroi se i ka kryer në Universum tha se ka pasur dy kontrata të lidhura me Kolegjin por që sipas tij Kolegji asnjëherë nuk i ka respektuar këto kontrata pasi që asnjëherë nuk i është paguar në tërësi shuma e të hollave e cila ka qenë e paraparë në kontratë dhe se ky kishte qenë shkaku i ndërprerjes së kontratës.

“Unë e kam ndërprerë punën në Universum dhe jam larguar se nuk ka pasur kompensim. Deri në momentin e fundit Kolegji Universum më ka pasur borxh 1800 euro”, tha i akuzuari.

“A ke pranuar nga pronarët e Kolegjit Universum në çfarëdo forme ndonjëherë shumën prej 5 mijë eurove”, e pyeti të akuzuarin mbrojtësi i tij, avokati Ramë Gashi, për çka i akuzuari u përgjigj se asnjëherë nuk ka pranuar asnjë shumë të hollash nga pronarët e Kolegjit Universum, përpos të hollave të cilat tha se i janë transferuar përmes xhirollogarisë bankare në formë të pagës mujore.

Në lidhje me angazhimin e tij si ligjërues pranë Kolegjit Universum, Muja tha se nuk ka pasur të bëjë asgjë me xhaxhin e tij Basri Mujën, për të cilin deklaroi se në atë kohë ka qenë duke jetuar jashtë Kosovës.

“Nuk ka pasur Agjenci të Akreditimit në atë kohë, Agjencia e Akreditimit ka filluar të operojë në tetor të vitit 2008, bashkëpunimi im me ta ka qenë i pavarur komplet i rastësishëm, kur unë kam filluar marrëdhënien e punës sa e di Basri Muja ka qenë jashtë Kosovës. Në mendjen time nuk kanë ekzistuar as Basria e as Ferdija”, u shpreh i akuzuari.

https://kallxo.com/zhushi-aktakuza-e-ngritur-ndaj-meje-eshte-hakmarrje-per-mosakreditim-te-programeve/

Më tej avokati Ramë Gashi të mbrojturin e tij e pyeti nëse ai gjatë vitit 2010 ishte takuar ndonjëherë në ndonjë kafene me pronarët e Kolegjit Universum.

“Aktakuza pretendon për dy apo tre takime në vitin 2010 në një kafiteri në Prishtinë. A kanë ndodhur ato takime me pronarët e Kolegjit Universum, nëse po për çfarë arsye?”, e pyeti avokati të akuzuarin.

“Në muajin shkurt në mes datës 25-28 të vitit 2010 jam takuar me Alajdinin me Suadin në Brezovicë në një seminar. Aty kanë qenë edhe drejtorë të tjerë të shkollave. Ndërsa në fillim të marsit nuk kam qenë në Kosovë, në mes të 2-8 mars kam qenë në Mal të Zi, nuk kam mundur të takohem me ta.
Alejdinin nuk kam mundur absolutisht me e taku gjatë muajit shkurt, sepse ai nuk ka qenë në Kosovë”, u përgjigj i akuzuari Armend Muja.

Avokati Ramë Gashi të akuzuarin e pyeti edhe në lidhje me pretendimet e Prokurorisë sipas të cilave Armend Muja, pronarëve të Kolegjit Universum në favor të akreditimit të programeve u ka kërkuar shumën e të hollave në vlerë prej 15 mijë euro dhe se nga kjo shumë 5 mijë kanë qenë të parapara për secilin nga të akuzuarit Basriun, Ferdijen dhe vetë Armendin.

“Sipas aktakuzës ngarkohesh se gjatë vitit 2010 nga pronarët e Kolegjit Universum për favor të akreditimit të disa programeve fillimisht ke kërkuar 20 mijë euro e më pastaj 15 mijë euro dhe atë nga 5 mijë për dy të akuzuarit tjerë dhe 5 mijë për vete, çka ke të thuash në lidhje me këtë aktakuzë”, e pyeti të mbrojturin e tij avokati Ramë Gashi.

Por Armend Muja e mohoi një gjë të tillë duke shtuar se ai nga pronarët e Kolegjit Universum ka kërkuar vetëm të hollat të cilat kanë qenë në kuadër të pagës.

“Unë nuk i kam kërkuar as Alejdinit as Suadit e as Sedatit asgjë përpos të drejtës time legjitime për pagë, për punën që e kam bërë, jo vetëm prej këtyre por asnjë kolegji asnjë institucioni nuk kam kërkuar  të holla sepse nuk është në natyrën time”, u përgjigj Muja.

“Pas largimit tënd nga Kolegji Universum a ke kërkuar apo a ke ndërmjetësuar në çfarëdo forme me kërkesa për marrje të ryshfetit sidomos në vitin 2013 nga pronaret e Kolegjit Universum?”, e pyeti më tej avokati Gashi.

“Asnjëherë unë as që kam menduar në kokën time që ekzistojnë këta, e aq më pak me i taku apo me ju kërku ndonjë informatë… Nuk mund të provohet pasi që asnjëherë nuk kam kërkuar të holla nga pronarët e Kolegjit Universum”, tha Muja.

Ndërsa prokurori special Naim Abazi të akuzuarin e pyeti nëse i kujtohej një takim të cilin i akuzuari e kishte pasur me Alejdin Berishën në një kafene në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Por meqë i akuzuari e mohoi një gjë të tillë, duke deklaruar se nuk i kujtohet të ketë thënë një gjë të tillë, atëherë prokurori special të njëjtin e ballafaqoi me deklaratën e tij të dhënë në polici.
Më pas i akuzuari deklaroi kështu: “Me Alejdin Berishën në mes të vitit 2008 e deri në vitin 2009 jemi takuar shumë shpesh. Por gjatë vitit 2010 ai ka qenë jashtë vendit dhe nuk kam mundur të takohemi. Mirëpo me Alejdinin, Suadin dhe Sedatin jam takuar shumë shpesh gjatë vitit 2011 në periudhën shkurt-mars-prill”.

Tutje i akuzuari tha se me pronarët e Kolegjit Universum është takuar shumë shpesh në objektet e Kolegjit Universum dhe se e mban në mend një rast që me Suad Berishën është takuar në një kafene në lagjen Ulpiana në Prishtinë kurse me Sadatin në Ferizaj në objektin e Kolegjit Universum.

“Unë jam takuar shumë shpesh në Universum në objektin në Ulpianë, me Suadin e mbaj në mend që jam takuar njëherë përballë Universumit është një restorant quhet Lion. Me Sadatin jam takuar në Ferizaj se këta e kanë edhe një bazë atje”, tha Muja.

Për fund Armend Muja tha se ai asnjëherë nuk ka marrë asnjë cent në formë ryshfeti për kryerjen e ndonjë favori për ndokënd dhe se të gjitha janë vetëm thashetheme.

“E kam thënë edhe atëherë e po e them edhe tash se unë asnjëherë nuk kam marrë asnjë cent dhe nuk i kam kërkuar. Këto janë thashetheme nuk është asgjë e vërtetë”, deklaroi Muja.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa, Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj Agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza. Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.