Arkiv -Ilustrim

Muharremaj: Uji i pijes në Suharekë, i ndotur dhe me bakterie

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se uji i pijes në Suharekë pas vërshimeve është ndotur dhe është me bakterie.

“Pas kërkesës së Drejtorisë së Shëndetësisë drejtuar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për analiza të ujit të pijes tek zonat e prekura nga vërshimet,  ka dalë se rezultati i ujit për përdorim human është i ndotur dhe me bakterie”, ka shkruar Muharremaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai po ashtu ka thënë se ka kërkuar nga institucionet që të mbikëqyrin në rast të ndonjë epidemie dhe të klorizohet uji në zonat e prekura nga vërshimet.

“Si kryetar komune i kam autorizuar sërish institucionet tona që ta mbajnë nivelin e mbikëqyrjes, duke qenë përballë rrezikut për ndonjë epidemi të mundshme.

Rekomandimet janë që zonat të klorizohen nga institucionet përkatëse, ndërsa një ndër preventivat momentale është që uji të vlohet para përdorimit.

Ne do të jemi në secilin hap të mbikqyrjes për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar Muharremaj.

Qyteti i Suharekës dhe fshatrat e kësaj komune u përballën me vërshime të jashtëzakonshme natën mes 15 dhe 16 gushtit.