Arkiv: protesta qumeshtareve

MTI merr në Mbrojtje Prodhuesit e Qumështit

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim të vazhdimit të mbrojtjes së prodhimit vendor, pas një hetimi të departamentit përkatës, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka marrë masa mbrojtëse për qumështin, duke u bazuar në kompetencat ligjore në pajtim me nenin 1 dhe paragrafin 1, të nenit 2, të Ligjit nr. 041/L-047, si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së CEFTA-s.

“Vendimi ka ardhur pas një hetimi që është konstatuar se importi nga Bosnja dhe Hercegovina është rritur mbi masën 20 për qind dhe ka ndikuar në dëmtimin e produkteve vendore për faktin se importi i produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është me çmim të ulët i cili është nën koston e prodhimeve vendore të qumështit”, thuhet në njoftimin e MTI-së.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se siç parashihet në nenin 8 të Ligjit për Masat Mbrojtëse në Importe, se ka bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se rritja e importit, si dhe kushtet në të cilat kryhet ky import, kërcënon që t’u shkaktojë dëme serioze prodhuesve vendorë të produkteve të ngjashme.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e autorizuar, në bazë të dëshmive të mjaftueshme, të zbatojë ligjin për të mbrojtur prodhuesit e produkteve të qumështit kur kërcënohen të përjetojnë dëme serioze nga importi i qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina. Këto masa mbrojtëse prekin mijëra prodhues dhe përpunues të qumështit që operojnë në tregun e Kosovës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojë me masa mbrojtëse për prodhuesit vendorë, në momentin që vërtetohet se ka bazë ligjore”, thuhet në njoftim.

Ndryshe kjo masë mbrojtëse afekton rreth 3 mijë bujq, fermerë që kanë ferma me nga 5 e deri 250 lopë dhe mbi 30 përpunues të qumështit.