MPJ: Tre kosovarë të lënduar në aksidentin zinxhiror në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Serbi ka përcjellë nga afër zhvillimet pas një aksidenti zinxhiror që ka ndodhur dje në Serbi.

Zyrtari i MPJ-së, Sami Kastrati, tha për KALLXO.com se sipas raportimeve të para aksidenti i trafikut ndodhi nga një tym i dendur dhe për pasojë la të vdekur një person dhe disa të tjerë të plagosur.

Ministria e Punëve të Jashtme ka siguruar informacione zyrtare se tre shtetasit kosovarë, të cilët ishin pjesë e këtij aksidenti kanë marrë disa lëndime-gërvishtje, tha Kastrati për KALLXO.com.

Po ashtu, MPJ njofton se pas pranimit të ndihmës së parë në vendngjarje tre qytetarët e Kosovës janë liruar dhe kanë vazhduar rrugën për në vendlindje.

Mediat serbe kanë raportuar se një 19-vjeçar nga Beogradi ka vdekur në aksidentin që ka ndodhur në autostradën e Nishit.

Në këtë aksident janë përfshirë një kamion, një furgon dhe një veturë.