Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati - Foto: KALLXO.com

MPJ e Shqipërisë mirëpret formimin e Ushtrisë së Kosovës

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë e ka përshëndetur sot miratimin e tre ligjeve mbi transformimin e Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ministria tha se rezultati i sotëm në Kuvend është fryt i kontributit shumëvjeçar të gjitha forcave politike dhe popullit të Kosovës, bazuar në të drejtën legjitime të një shteti sovran e të pavarur.

“Mbështesim angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që procesi i transformimit të Forcave të Sigurisë të zhvillohet gradualisht, në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, si dhe të jetë gjithëpërfshirës. Ushtria e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të vendit, si dhe të forcimit të sigurisë në rajon”, thuhet në deklaratë.