Foto: MPJ

MPJ: BE t'i tërheq vërejtjen Serbisë që po manipulon me dialogun

Ministria e Punëve të Jashtme, cila drejtohet nga Behgjet Pacolli, në një komunikatë për media thotë se Serbia po manipulon dhe përdorë standarde të dyfishta përkitazi me dialogun dhe se BE-ja duhet t’i tërheq vërejtjen menjëherë.

“Ministria e Punëve të Jashtme i vlerëson të papranueshme veprimet destruktive, qasjen dashakeqëse dhe standardet e dyfishta, që shteti fqinj Serbia po i përdorë në marrëdhëniet me shtetet njohëse dhe jo-njohëse të Republikës së Kosovës duke shfrytëzuar, keqpërdorur dhe manipuluar me dialogun për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve me qëllimin parësor për të bërë agresion diplomatik kundrejt sovranitetit dhe imazhit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se MPJ nënvizon qëndrimin zyrtar se Kosova ka hyrë në dialog me shtetin fqinj – Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së, mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe shteteve të tjera aleate dhe partnere me vullnetin e mirë dhe besimin e plotë për të përmirësuar marrëdhëniet në mes dy shteteve dhe popujve nëpërmjet arritjes së Marrëveshjes së Detyrueshme Ligjore, e cila do të duhej të përfundonte me njohjen reciproke në mes dy shteteve dhe anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Për Republikën e Kosovës, vazhdon komunikata, dialogu me vullnetin e mirë dhe në mirëbesim ka qenë dhe mbetet mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve, ndërtimit të besimit në mes dy shteteve dhe dy popujve, promovimit të paqes afatgjate, forcimit të stabilitetit rajonal dhe rritjes së prosperitetit për të gjitha popujt.

“..por ai nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet si instrument qëllimi, mjet destruktiv dhe metodë manipuluese nga shteti fqinj, për dëmtimin dhe rrënimin e imazhit të shtetit të ri në marrëdhëniet me jashtë dhe paralelisht me këtë rrezikimin e interesave nacionale të shtetit dhe shtetasve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“MPJ konsideron se veprime të tilla nga lidershipi i shtetit fqinj duket se kanë qëllime të lëkundin edhe disponimin pozitiv rajonal për t’i dhënë hapësirë veprimeve gjeopolitike, që kultivojnë shpërputhje me vullnetin rajonal për integrim në BE, NATO, anëtarësimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL dhe liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës”.