MPB: Të arrestuarit dyshohen për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa theksoi se mbeten të angazhuar në përkrahjen e Policisë së Kosovës në kryerjen e obligimeve kushtetuese dhe në zbatimin e ligjit.

Mustafa theksoi se pas urdhrit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në veri të Kosovës, Policia e Kosovës arrestoi disa persona të dyshuar, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e vrasjes së politikanit, Oliver Ivanoviq.

Sipas MPB-së, arrestimi i këtyre personave nuk ndërlidhet me përkatësinë e tyre etnike apo fetare, por vetëm me dëshmitë për dyshimin se kanë kryer vepër penale.

“Është shumë e rëndësishme që në këto aksione t’u besohet vetëm organeve të drejtësisë në Kosovë dhe që në asnjë formë të mos bëhen deklarime politike me qëllim të pengimit të drejtësisë. Është përgjegjësi e secilit në Kosovë që të kontribuojnë në mbajtjen e qetësisë publike dhe të shërbejnë që secili të ndihet i lirë të jetojë dhe veprojë pavarësisht se cilës përkatësi etnike i takon”, thuhet në reagimin e MBP-së.

Ministri Mustafa falënderoi zyrtarët e Policisë e Kosovë të cilët me profesionalizëm kanë kryer të gjitha obligimet që ju jep ligji në raste të tilla./ RTK