MPB fillon fushatën vetëdijësuese për legalizimin e armëve

Fushata për legalizimin e armëve është paraqitur sot nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kjo fushatë ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës për të bërë legalizimin e armëve.

“Përhapja e armëve të vogla dhe të lehta, në Kosovë dhe posedimi i pa kontrolluar paraqesin kërcenim për jetën e njerëzve rendin dhe sigurinë publike dhe zhvillimin ekonomik”, tha zëvendës ministri, i MPB-së, Izmi Zeka.

Sipas Zekës, numri i armëve të mbajtura ilegalisht kap shifrën 200 mijë.

Në raportin e publikuar nga MPB, janë paraqitur edhe disa statistika përmbledhëse për konfiskimin e armëve nga ana e policisë.

Sipas raportit, në bazë të anketave me qytetarë kosovar, 67 % e kosovarëve ndihen të siguritë në mjediset e jashtme, ndërsa 68%  të tjerë janë të kënaqur me punën që bën Policia e Kosovës.

Numri i armëve të paligjshme në periudhat 2006-2015 ka rënë për 34%, ose më saktë për 130 mijë armë.

Në raport është i përfshirë edhe shkatërrimi i armëve ndër vite: në vitin 2013 policia ka shkatërruar 1325 armë, në vitin 2014 janë shkatërruar 3581 armë zjarri, në vitin 2015 janë shkatërruar 1742 armë zjarri, në vitin 2016 janë shkatërruar 2382 armë zjarri dhe në vitin e kaluar 102 armë zjarri.

“Është mirë që çdo qytetar që mbanë armë pa leje t’i legalizojnë ato, kjo krijon një mundësi dhe një siguri të qetë”, tha Zeka.

Drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova tha se është kënaqësi që edhe PK të jetë pjesë e kampanjës e cila ka për qëllim që qytetarët që mbajnë armë pa leje t’i legalizojnë ato.

“Ne synojmë që me anë të kësaj kampanje të kemi një kontroll më të mirë të armëve në Kosovë. Dëshiroj të theksoj se policia, një nga objektivat dhe prioritetet kryesore në fushën e krimit ka pasur posedimin e armëve të paligjshme”, tha Shillova.

Sipas Shillovës, një proces i tillë i legalizimit të armëve do të ulë edhe veprat penale të vrasjeve.

“Brenda këtij viti kemi 31 vrasje që janë kryer me armë zjarri, prandaj dëshirojmë që efekti i kësaj kampanje të jetë në reduktim të këtij krimi dhe veprave tjera penale”, tha Shillova.

Alessandra Roccasalvo, nga UNDP e cila përkrah kampanjën për legalizim të armëve tha se posedimi ilegal ende po merr jetë dhe po vë në rrezik jetën publike.

“Kjo fushatë është më se e mirëpritur”, tha Roccasalvo.

Ajo shtoi se UNDP është e përkushtuar që të promovoj procesin e sigurisë sidomos në Kosovë.

“Do të qëndrojmë këtu bashkërisht në këtë rrugëtim, pa marrë parasysh a jemi këtu për legalizim të armëve, apo shkatërrim të armëve apo edhe për të ju ndihmuar me ndonjë ligj tjetër e cila do t’i ndihmonte vendit”, tha Roccasalvo.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me procedurat që kosovarët duhet ndjekur për të legalizuar një armë.

https://kallxo.com/fillojne-aplikimet-per-legalizim-te-armeve/

Hapat që duhet ndjekur për legalizimin e armëve pa leje