Moti, temperaturat nga 0 deri në 25 gradë

Sipas parashikimeve pritet të kemi javë me mot të ftohtë por kryesisht të kthjellët, vende-vende edhe me ngrica. Temperaturat e ajrit, do të pësojnë rënie të ndjeshme nën vlera mesatare. Minimalet do të zbresin nga 12C deri në 0C apo +1C nga mesi i javës, ndërsa maksimalet nga 25C deri në 15C.

Parashikimet e ditëve të fundit për mot të ftohtë gjatë javës së ardhshme, tashmë janë më të besueshme. Masa të ftohta ajrore nga Atlantiku verior, të paraprirë nga një front i ftohtë, do të depërtojnë shpejt edhe mbi rajonin tonë, ku gjatë ditës së nesërme do të sjellin vranësira, erëra me reshje të dobëta shiu, dhe rënie të theksuar të temperaturave nën vlera mesatare. Në vise malore mbi 1000m, në ato pjesë kur priten të reshura edhe gjatë natës, paraqiten mundësi që reshjet e shiut të shndërrohen në borë.