Mosbesimi i Kryeministrit për Shkarkim

Pas më shumë se 4 orësh debat, PDK-ja i dha mbështetje iniciativës së partive opozitare për rrëzimin e qeverisë, të cilën e bashkudhëhoqi për më shumë se 2 vjet.

Pas leximi të teksti të mocionit nga shefja e grupit parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami, fjalën e mori tashmë kryeministri i shkarkuar, Isa Mustafa.

Ai e quajti këtë mocion pamflet të opozitës, ndërsa gjeti kohë t’i numërojë sukseset e qeverisjes së tij.

“Konsideroj se është një pamflet politik,  pa asnjë bazë argumentuese. Është një tendencë që dobësitë, keqpërdorimet, dëmet që janë krijuar nga qeveritë e kaluara përfshirë edhe nga disa individë që e kanë nënshkruar këtë mocion, ti mveshen kësaj qeverie”, tha Mustafa.

Më pas radha u erdhi shefave të grupeve parlamentare, e i pari foli Zenin Pajaziti i PDK-së. Ai la të nënkuptohej që partia e tij do ta mbështesë këtë mocion, por nuk e tha asnjëherë decidivisht.

“Andaj, deputetët sot i ftoj që ta bartin këtë vullnet e që është vullneti i qytetarëve”, tha Pajaziti.

Por, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri pavarësisht kësaj, ende nuk besonte që qeveria e cila drejtohej nga Isa Mustafa, do të mund ta rrëzohej.

“Është mocion, thjesht mocion i cili nuk mund ta rrëzojë qeverinë me 30 e sa vota, duke e përfshi edhe disa vota tjera. Mund ta rrëzojë vetëm në rrethana tjera, nëse i lihet në vullnet deputetëve për interesa të qytetarëve. Kjo, kolegë të nderuar, i bie drejtpërdrejt shkelje e një marrëveshje që e kemi që partnerët e koalicionit nuk e përkrahin mocionin opozitës”, tha Beqiri.

E Glauk Konjufca i “Vetëvendosjes” e quajti qeverinë Mustafa aq të mjerueshme, që siç tha ai e njëjta nuk ka nevojë të rrëzohet, ngase ajo tashmë po e rrëzon vetveten.

“Ky ka lindur me mosbesim. Nuk është se po ia krijojmë ne mosbesimin tash në vitin 2017. Isa Mustafa në vitin 2014 ka lindur me mosbesim dhe si mund të krijojë një qeveri besim, kur njeriu kryesor i saj është aq i pabesë”, tha Konjufca.

E më pas, të parët folën deputetët e LDK-së, njëri pas tjetrit, të gjithë në mbrojtje të liderit të tyre, madje edhe ata që nuk e kishin votuar për Kryeministër.

Njëri ndër ta ishte Anton Quni, i cili pasi përshëndeti Mustafa për fjalimin dhe punën e tij,  ia përkujtoi se nuk i kishte dhënë besimin atij dhe ia kishte tërhequr vërejtjen se me kënd po e qeveriste vendin.

“Z. Veseli, z. Thaçi ju jeni arsyeja që më detyroni të qëndroj ende në këtë parlament. Ndoshta e ndjeni fitimtarë veten në këtë betejë, por do të shihemi në finale, por një gjë dua të ua garantoj, që të gjitha ato mjerime që ua keni shkaktuar qytetarëve të Kosovës, për të gjitha ato shantazhe ato manipulime që i keni bërë, ju po më detyroni të qëndroj këtu, deri sa të ju shoh mbrapa grilave, ju aty e keni vendin”, tha Quni

“Valla se di a foli si profet, a si hero, se nuk të mora vesh kurrgjo. Por megjithatë ta vazhdojmë seancën, e për këto çka fole, flasim kur dush e si të duash”, tha Veseli.

Më pas, Melihate Tërmkolli iu drejtua opozitës, duke i thënë se ky mocion është vetëm formalisht i tyre.

“Mocioni, më vjen keq me e thanë por duhet ta them, është formalisht mocion që e ka ngritë opozita dhe më vjen shumë keq që keni ra në kurthën e tjetërkujt, por është e drejt e juvja, vazhdone.  Por nuk është mirë dhe mendoj që është një pozitë e mjerueshme, është mjerane, PDK me u fshehë pas opozitës”, tha Tërmkolli.

E deputeti Haradinaj u kërkoi kolegëve të tij mos të shesin “fore” e patriotizëm sot.

“Po shihet që jeni pa qehre ndër veti, s’kem qa me bo, edhe kështu qysh na ka lanë Isa në njëfarë vakti, iki natën prej VLAN-it edhe shkoj te PDK-ja, po më vjen mirë që PDK-ja po ia kthen me të njëjtën ritëm, qysh ia pat bo Isa, Fatmir Sejidut brenda natës”, tha Haradinaj.

Pas shumë diskutimeve, në minutat e fundit të tij si Kryeministër, Mustafa më në fund e pranoi se po rrëzohet. Ai falënderoi të gjithë për punën në më shumë se dy vjet.

“Më vjen mirë që është hera e parë që po e shoh shumicën këtu brenda në Kuvend, e jo jashtë sallës, prandaj ju falënderoj dhe ju uroj shëndet, uroj që ju të vendosni sipas bindjes, ju faleminderit”, ishte deklarata e fundit e Mustafës si Kryeministër.

Me 78 vota për, 34 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi votoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Isa Mustafës të iniciuar nga NISMA, AAK dhe VV. Mocioni u mbështet nga deputetë të PDK-së, ndërsa LDK votoi kundër.

PDK dhe LDK kanë qeverisur në këtë koalicion që nga fillimi i vitit 2015.