Logo e krijuar për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Foto: Agi Haxhimurati

'Mos e copëto tënden', logo prej mishi e dizajnuar për 11 vjetorin e Pavarësisë

Mishi në formë të hartës së Kosovës, me mbishkrimin “Mos e copëto tënden”, është logo e krijuar nga dizajneri Agi Haxhimurati për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë.

Fijet e kësaj ‘cope mishi’ tregojnë kufijtë aktual të Kosovës dhe të komunave të saj përderisa ajo është e kapur në një nga raftet ku ekspozohet mishi nëpër mishtoret e Kosovës.

Kjo logo e krijuar nga njëherësh edhe drejtori krijues i festivalit ‘Hardh Fest’, është frymëzuar nga ngjarjet kryesore të cilat e kanë veçuar ditëlindjen e 10-të të Pavarësisë së Kosovës, skandali i mishit si dhe ideja e korrigjimit të kufijve.

Në logon e cila është krijuar për 11 vjetorin e Pavarësisë, Haxhimurati e ka vendosur edhe një thikë pranë mishit në formë të hartës së Kosovës, e cila ka kuptimin “nuk ka copëtim mishi pa rrjedhje gjaku”.

Agi Haxhimurati ka thënë për KALLXO.com se temat e përditshme i japin shumë material për t’i përkthyer në ilustrime vizuale.

“Shpesh janë satirike, por kur është nevoja nuk kursehem për të dhënë edhe një mesazh direkt, si rasti i këtij ilustrimi të fundit. Temat e fundit në Kosovë rreth mishit të prishur (skaduar), ideja e shkëmbimeve territoriale, taksa “e famshme” 100%, etj., më shtyri që ta përdorë mishin në formën e hartës së Kosovës si metafore vizuale, pasi që nuk ka “copëtim mishi” pa rrjedhje gjaku, ashtu sikurse historikisht nuk ka pasur shkëmbime territoriale pa…!”, ka deklaruar Haxhimurati për KALLXO.com.

Seria e ilustrimeve për nder të çdo përvjetori të Pavarësisë së Kosovës ka filluar që nga përvjetori i pestë, ka treguar Haxhimurati.

“Kjo seri e ilustrimeve ka nisur që nga viti i pestë i përvjetorit të pavarësisë dhe ka vazhduar deri më sot që çdo përvjetor krijoj postera të ndryshëm ku temën kryesore të vitit e konceptoj dhe e ilustroj në një stil minimalist, kështu, për të shpërndarë një mesazh ndërgjegjësimi ndaj ngjarjeve që na rrethojnë shumicën e kohës”, ka thënë dizajneri Haxhimurati.

Më tej, Haxhimurati ka potencuar që misioni i çdo artisti është që të ngrejë zërin në forma të ndryshme dhe të jenë efektiv.