Molliqaj opozitës: Po i tuteni vetes tuaj

Dardan Molliqaj nga Grupi Parlamentar i PSD-së, tha se partitë politike s’kanë dallime sa i përket dialogut, por ka dallime sa i përket presidentit.

“Në propozimet për rezoluta s’ka dallime substanciale fare. Pushteti si ka votat për me shku në dialog, sepse lista serbe nuk i voton. Tash po iu duhet mbështetja e opozitës, para 4 muajsh kanë tregu arrogancë për opozitën. Si arrogancë e pushtetit kemi ardhë deri këtu”, tha Molliqaj.

Ai tha se Kosova nuk ka nevojë për rezolutë, por sipas tij Kosova sot ka nevojë me ndërtu platformë për dialog sepse opozita po thotë që pasi pozita si ka votat për dialog, po shkojmë në zgjedhje.

“Dallimi thelbësor është që dikush do zgjedhje para dialogut, e dikush pas dialogut e dikush deri në fund të mandatit. Unë nuk e kuptoj frikën prej Hashim Thaçit, e di që e ka përça faktorin politik në Kosovë, ka marrë shumë vendime të gabume, por kurrë opozitë ma të fortë s’kanë pasë. Por me gjasë ju po tuteni prej vetes, se mos tani keni me votu marrëveshjen kur të vjen në Kuvend”, tha ai.

Molliqaj deklaroi se rezoluta mund të ketë efekt vetëm nëse opozita kthehet në Kuvend.

“Pra mbetet veç marrëveshje e tij, mbetet marrëveshje e Thaçit, qysh mbet Asociacioni si marrëveshje e Isa Mustafës. Unë nuk tutna që e votoj, qysh se kom votu as demarkacionin. Rezoluta ka efekt veç me u kthy ju partitë opozitare në Kuvend, nëse është kështu o jua votojmë. Bile i bëjë thirrje edhe pozitës që me votu rezolutën e me u kthy ju në Kuvend, se opozita na duhet në Kuvend. Kuvendi para se me votu rezoluta, duhet me kriju platformë. Pushteti s’mundet pa neve, na s’po mundemi me rrëzu, dialogu po vazhdon”, tha Molliqaj.

Kuvendi sot po diskuton për rezolutën e propozuar nga opozita, kundër ideve të presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.