Dardan Molliqaj, VV. Foto: Kallxo.com

Molliqaj: Kurti po i vardiset Thaçit për pushtet

Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj i ka reaguar shefit të tij të dikurshëm të partisë, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.

Molliqaj përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se Kurti po i vardiset Thaçit për pushtet.

“Inati personal i Kurtit ndaj PSD-së e ka sjellur në pikën ku Thaçit i drejtohet me respekt dhe ia njeh autoritetin presidencial. Por bash karakteri i tillë inatçor do ta lë të vetmuar e për toke. Sado le t’i vardiset Thaçit për pushtet”, thuhet në publikimin e tij.

Ky reagim i Molliqajt ka ardhur pasi Kurti sot ka deklaruar se njëra nga arsyet pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje është se “Kuvendi i Kosovës i është nënshtruar një deformimi të dyfishtë të vullnetit të qytetarëve” pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, kur  12 deputetë të VV-së dolën në PSD dhe formuan grupin e tyre parlamentar.

Kurti PSD-në e quajti “partiçkë”, që ia votoi qeverisë buxhetin e vitit 2019.

“Maj 2018: një dyzinë deputetësh ikën nga LVV te një partiçkë që garoi me PAN-in, dhe ia votuan qeverisë buxhetin 2019”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

Por, sipas Dardan Molliqajt, PSD-ja do të jetë befasia e zgjedhjeve të ardhshme.

“Shumë mirë qe po afrohen zgjedhjet dhe do ta shohim aty fuqinë e secilit. PSD do të jetë befasia e këtij procesi ? (e për parashikuesit e izoluar, dëshpërimi i jetës)”, ka shkruar më tej ai.