Ushtarë të Ushtrisë Moldave. Foto: Wikipedia.

Moldavia do të heqë shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Kryeministri moldav Pavel Filip tha të enjten se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të hiqet gradualisht deri në vitin 2021, ndërsa Moldavia bën kalimin në një ushtri krejtësisht profesionale.

“Moldavia nuk mund të mbajë një ushtri shumë të madhe, por ne jemi të detyruar të kemi një ushtri të stërvitur dhe profesionale,” tha Filip gjatë vizitës në kampin ushtarak në Bulboaca, ku ushtarët moldavë po bëni stërvitje ushtarake së bashku me ushtarë amerikanë dhe rumunë.

Qëllimi i stërvitjes, Fireshield-2018, ishte të stërvisnin së bashku nën-njëso dhe të rrisnin nivelin e ndërveprueshmërisë midis ushtrisë moldave dhe vendeve të tjera partnere, sidomos atyre në rajon me një ushtri profesionale, si Rumania.

Qeveria moldave njoftoi një reformë ushtarake në mars.

Qytetarëve midis 18 dhe 27 vjeç u kërkohet të shërbejnë një vit në ushtri. Përjashtimet ekzistojnë për arsye mjekësore ose arsimore, por ryshfeti përdoret gjerësisht për të fituar këto përjashtime.

Gjatë vitit të kaluar, Moldavia mori pjesë në stërvitje ushtarake të ndryshme ndërkombëtare me ushtri profesionale, sidomos ato nga vendet e NATO-s.

Presidenti pro-rus i Moldavisë, Igor Dodon, është përpjekur të bllokojë nisma të tilla bërë thirrje për neutralitetin ushtarak të Moldavisë.

Megjithatë, qeveria ka dërguar trupa gjithsesi në stërvitje të tilla ushtarake, pavarësisht kundërshtimeve të tij.

Drejtori i Institutit për Zhvillim dhe Nisma Sociale, IDIS, Viitorul dhe ish-ambasadori i SHBA-së dhe Kanadasë, Igor Munteanu, tha për BIRN në tetor 2017 se veprimet e Dodonit shfaqeshin të koordinuara me Kremlinin, të dizajnuara për të dëmtuar bashkëpunimin politik dhe ushtarak të Moldavisë me shtetet partnere euroatlantike.

Ndërkohë, ushtarët rusë dhe trupat transnistriane në rajonin e shkëputur në bregun e majtë të lumit Dniester kryen mbi 200 stërvitje ushtarake vetëm në vitin 2017.

Rusia ende mban rreth 1,500 trupa të ish-Ushtrisë së 14-të Sovjetike, tani e quajtur Grupi Operativ i Trupave Ruse, OGRT, në të ashtuquajturën Republika Moldave Pridnestroviane, më mirë e njohur si Transnistria.

Rusia gjithashtu ka 400 paqeruajtës në Transnistri, me sa duket për të siguruar një armëpushim 26-vjeçar shqetësues që i dha fund konfliktit të përgjakshëm midis Moldavisë dhe rajonit të saj separatist.

Moldavia shpenzon shumë pak në sektorin e mbrojtjes. Vetëm 0.3 për qind e GDP-së së vendit është ndarë për ushtrinë dhe shumica e parave shkon në paga dhe logjistikë. (reporter.al)