Mohohet ndalimi i Daut Haradinajt në Vjenë

Familjarë dhe bashkë-partiakë të Daut Haradinaj kanë mohuar se deputeti është ndaluar apo arrestuar në Vjenë.

Gjatë ditës, mediet kanë raportuar se ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj është ndaluar në udhëtimin e tij në Vjenë, për shkak të një fletëarresti të lëshuar nga Serbia.

Megjithatë, burime brenda familjes Haradinaj kanë thënë se Daut Haradinaj nuk është arrestuar e as ndaluar, por vetëm i është përmbajtur procedurave pas shkuarjes në Vjenë pasi që i njëjti ka fletëarrest nga Serbia që nga koha e pasluftës.

Njëjtë ka thënë edhe Muharrem Nitaj, bashkëpartiak i Haradinajt.

“Daut Haradinaj nuk ka asnjë telashe. Është ne rrugën e tij. Sapo fola me te dhe ai është me miq duke pirë kafe”, tha Nitaj për KALLXO.com.

Deputeti po ashtu ka postuar fotografi në Facebook disa minuta më parë nga Vjena.

Dy vite më parë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte ndaluar nga autoritetet në Francë si pasojë e një fletë arresti nga Serbia.