Mogherini i kërkon Thaçit të hiqet taksa doganore

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federika Mogherini, ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që Kosova ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kjo kërkesë nga Mogherini është bërë në një bisedë telefonike me Presidentin Thaçi.

Siç njofton Zyra e Mogherinit, në këtë bisedë janë shqyrtuar zhvillimet e fundit në kontekst të dialogut të ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përfaqësuesja e Lartë nënvizoi se vendimi i qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në 100% vetëm e komplikon situatën dhe nuk sjell ndonjë zgjidhje ndaj problemeve të njerëzve ose të aspiratave të Kosovës për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Ky vendim është një masë e cila nuk ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe duhet të revokohet”, thuhet në komunikatë.