MMPH Përkrah Komunën e Deçanit me Projekte në Fushën e Mjedisit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj ka pritur në takim kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, më të cilin biseduan për projektet në fushën e mjedisit në komunën e Deçanit, të cilat do të përkrahen nga Ministria.

Ministrja gjatë këtij takimi ka prezantuar projektet që do të realizohen në bashkëpunim me komunën e Deçanit si ndërtimi i kanalizimit në fshatin Irzniq në lagjen “Mushkolaj”, në vlerë prej  100 mijë euro, rregullimi i shtratit të Lumëbardhit në Deçan, në vlerë prej  500 mijë eurosh, ndërtimi i ujësjellësit në Strellc të Deçanit, në vlerë prej  320 mijë eurosh.

Ministrja ka përmendur edhe projektet të cilat janë duke vazhduar në këtë komunë.

‘Ndërtimi i kanalizimit në Deçan, në vlerë prej   60 mijë eurosh, rregullimi i hapësirës gjelbëruese tek  Verrat e Llukës, në vlerë prej  50 mijë eurosh si dhe ujësjellësi për 10 fshatra dhe kyqja në burime të reja në Deçan, ku për vitin 2018 janë ndarë 50 mijë euro”, tha Ministrja.

Kryetari Bashkim Ramosaj dhe ministrja u zotuan që bashkërisht do t’i eliminojnë deponitë ilegale të mbeturinave në këtë komunë si dhe shndërrimin e tyre në zona të gjelbra.