MMPH ndan 550 mijë euro për krijimin e zonave të gjelbra në Gjilan

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka njoftuar se sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për financimin e projektit “Krijimi i zonave të gjelbra në Gjilan”, në vlerë prej 550 mijë euro.

“Komuna e Gjilanit ka trashëguar shumë probleme në fushën e mjedisit andaj përmes investimeve kapitale kjo komunë do të arrij një zhvillim të qëndrueshëm. Me këtë projekt Gjilani do të merr një pamje të re, një cilësi më të mirë të ajrit dhe mjedisit në përgjithësi. Angazhimi jonë i përbashkët mbetet që përmes projekteve të krijojmë një qytet ekologjik që do të jete shembull dhe për komunat tjera”, thuhet në publikimin e ministrit Matoshi.

Më tej Matoshi ka bërë të ditur se në Gjilan do të realizohen gjithsej 5 projekte në vlerë prej 1 milion eurosh.

“Këtë vit në Gjilan si MMPH po fillojmë së realizuari 5 projekte që në total kapin vlerën prej 1 milion e gjysmë euro: Krijimi i zonave të gjelbra në Gjilan në vlerë prej 550 mijë euro; Vazhdimi i punimeve në Lumin Mirusha në vlerë prej 250 mijë euro; Ndërtimi i kanalizimit në shtratin e lumit në Dobërçan në vlerë prej 550 mijë euro dhe Pastrimi i shtretërve të lumenjve Morava dhe Stanishorka në vlerë prej 100 mijë euro si dhe projektin ‘Ta pastrojmë Kosovën’ në vlerë prej 100 mijë euro”, vazhdon më tej njoftimi.

Gjithashtu, Matoshi ka shkruar se do t’i ofrojë mbështetje të plotë që ta tejkalojë krizën e ujit të pijshëm.