MKRS ‘shpërblen’ 70 ndërmarrës të rinj me financim të projekteve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar të enjten, 20 dhjetor 2018, në MKRS, kontratat për 70 ndërmarrës të rinj nga skema e granteve për fillim të bizneseve të reja.

Nënshkrimi i këtyre kontratave erdhi pas përfundimit të procesit të trajnimit për ndërmjetësim, proces i cili është mbështetur nga MKRS-ja, ku 400 të rinj janë trajnuar nga ky program.

Ky trajnim, është bërë në kuadër të Planit të Veprimit për Rritjen e Punësimit për të rinj.

Përmes një komunikate MKRS njofton se skema e ndërmarrësisë do të sigurojë ndihmë me grante në vlerë prej 3,000 deri 5,000 euro për çdo plan biznesi të zhvilluar me sukses që është miratuar në kuadër të procesit të përzgjedhjes.

“Nga ky fond janë mbështetur të rinjtë të cilët paraprakisht kanë ndjekur trajnimin për ndërmjetësimin në punë dhe procesin e dhënies së grandeve për të hapur bizneset e tyre duke krijuar një rrjet të sipërmarrësve të rinj”, citohet të ketë thënë ministri Gashi.

Sipas komunikatës objektivi kryesor i programit për mbështetje të ndërmarrësve të rinj është që të sigurojë mundësi për të rinjtë e papunë për ta nisur një veprimtari biznesi.

Trajnimet e ndërmarrësi u kanë mundësuar të rinjve procesin e kthyer nga një ide në një fillimi të suksesshëm biznesi.

Projekti, shton komunikata është fokusuar ekskluzivisht në krijimin e sipërmarrësve të ardhshëm, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit në mesin e të rinjve duke krijuar një rrjet të sipërmarrësve.