Aktorja Myrvete Kurtishi u nderua me çmimin për vepër jetësore nga Ministria e Kulturës – Foto: KALLXO.com

MKRS i Ndan Aktores Myrvete Kurtishi Çmimin për Vepër Jetësore

Ministri për Kulturë Rini dhe Sport, Kujtim Gashi, me rastin e ditës botërore të teatrit ka ndarë sot çmimet vjetore për teatër.

Çmimi për vepër jetësore iu nda aktores Myrvete Kurtishi.

Kurtishi tha se ky çmim është shpërblim për sakrificën që ka bërë në 40 vjet karrierë.

Ndërsa ministri Gashi tha se Ministria që ai drejton do të inkurajojë të gjithë ata që kontribuojnë në kulturë .

“Ministria e Kulturës do të jetë në vazhdimësi në mbështetje dhe përkrahje të krijimtarisë tuaj”, tha Gashi.

Çmimi për shfaqjen më të mirë iu nda Teatrit të  Prizrenit për shfaqjen “Armiku i popullit”, ndërsa ai për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”.

Ndërsa çmimi për aktorin më të mirë dhe prezantimi më i  suksesshëm ndërkombëtar për këtë vit nuk u ndanë fare nga juria.

“Juria ka vendosur që të mos ndahet çmimi për aktorin më të mirë pasi që kemi konstatuar që gjatë vitit 2017 ka pasur shumë më tepër kandidatë për këtë çmim, por për arsye subjektive dhe objektive nuk janë sjellë para jurisë”, tha Luan Daka, anëtar i jurisë.

Ndërsa për çmimin për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar u tha se projektet e nominuara për vitin 2017 nuk kanë arritur qëllimet e caktuara.