MKRS mbështet financiarisht 4 projekte në komunën e Suharekës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Suharekës kanë  nënshkruan sot katër memorandume bashkëpunimi.

Përmes një njoftimin për media, MKRS njofton se nënshkrimi i memorandumeve është bërë në mes të ministrit të MKRS, Kujtim Gashi dhe kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremi.

Memorandumet e nënshkruara, sipas këtij njoftimi  kanë për qëllim hartimin dhe zbatimin e projekteve “Kulla e familjes Tafollaj” në fshatin Çadrak, “Kulla e Ramë Bllacës” në fshatin Bllacë dhe “Shtëpia Muze Fadil Vata” në fshatin Sallagrazhdë dhe për mbështetjen financiare të projektit “Stadiumi në Studenqan të Suharekës”.

Sipas memorandumeve, projektet “Kulla e Ramë Bllacës” dhe “Shtëpia Muze Fadil Vata” mbështeten financiarisht nga Ministria me nga 20 mijë euro, ndërsa projekti “Kulla e familjes Tafollaj” mbështetet me 10 mijë euro. Të tria këto projekte pritet të zbatohen gjatë vitit 2019.

Ndërkaq projekti “Stadiumi në Studenqan të Suharekës” mbështetet financiarisht me 350 mijë euro dhe pritet të zbatohet gjatë viteve 2019-2020 ku edhe mjetet financiare do të ndahen në dy periudha kohore, 150 mijë euro për vitin 2019 dhe 200 euro mijë për vitin 2020.