Pamje nga një marsh protestues pas vdekjes së Astrit Deharit - Foto: Atdhe Mulla

Mjeti që Shkaktoi Vdekjen e Deharit Ende në Kantina të Burgjeve

Shishja e mjaltit që ishte mjeti me të cilin sipas autopsisë, Astrit Dehari u vetëvra, ende është i disponueshëm në Shërbimet Korrektuese të Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Drejtësisë, Orhan Hajrizi , mjeti në fjalë nuk ishte vlerësuar dhe as nuk vlerësohet si i rrezikshëm për t’u blerë në këto qendra.

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje , vdiq më 5 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po qëndronte si i akuzuar për terrorizëm.

http://kallxo.com/vdes-ne-qender-te-paraburgimit-nje-aktivist-i-vv-se/

Megjithëse në publik kjo vdekje u diskutua duke u cilësuar herë si vrasje, e herë si vetëvrasje, rezultatet finale të autopsisë e konstatuan si vetëvrasje nga asfiksia.

http://kallxo.com/mjekesia-ligjore-percakton-se-astrit-dehari-beri-vetevrasje/

Sipas ekspertëve ligjorë dhe atyre të pavarur të angazhuar nga familja, vdekja e Deharit kishte ardhur si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga një shishe plastike  e mjaltit që ishte blerë në kantinën e qendrës së paraburgimit.

Megjithatë, ky mjet sipas Hajrizit nuk kishte se si të konsiderohej i rrezikshëm , meqenëse është paketim plastik.

“Një gjë e tillë nuk është vlerësuar e rrezikshme meqë është paketim plastik dhe është në kantinë për të gjitha institucionet”, tha Hajrizi për KALLXO.com

Gjithashtu , ai deklaroi se një mjet i tillë vazhdon dhe do të vazhdojë të jetë i qasshëm nëpër kantina të institucioneve.

“Po ky ushqim ende mund të gjendet nëpër kantinë për blerje, meqë mjalti nuk konsiderohet i rrezikshëm”, deklaroi Hajrizi.

Pas vdekjes së Deharit, Lëvizja “Vetëvendosje” ka organizuar disa marshe protestuese dhe ka kërkuar mbajtje të një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar vdekjen e Deharit.

http://kallxo.com/rasti-astrit-deharit-tensionin-serish-kuvendin/