Dushko Markoviq, kryeministër i Malit të Zi. Foto: Qeveria e Malit të Zi

Mjegulla Vonon Ardhjen e Kryeministrit Malazez

Aeroplani që do ta sjellë në aeroportin e Prishtinës Kryeministrin e Malit të Zi Dushko Markoviq ende nuk ka ardhur, edhe pse ardhja e tij ishte paralajmëruar në orën 8:00 të mëngjesit.

Shkak është bërë mjegulla që ka kapluar Kosovën në orët e para të ditës së sotme.

Është paraparë që kryeministrin e Malit të Zi në aeroport ta presë ministri i jashtëm Behgjet Pacolli dhe ambasadorët e Kosovës dhe Malit të Zi në kryeqytetet e dy shteteve.

Më pas Markoviq do të zhvillojë takime me krerët e shtetit kosovar.

Tri ditë para se të vinte në Kosovë Markoviq tha për RTK se për këtë shtet çështja e demarkacionit është e mbyllur, edhe pse deklaroi se do të bisedonte për këtë punë, nëse kjo temë përmendej nga Kryeministri Ramush Haradinaj.