Mitrovicë - Paralajmërohen masa të shtuara sigurie afër lumenjve dhe liqeneve

 

Me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve parandaluese në ofrimin e sigurisë, në kuadër të implementimit të planit operativ “sezoni veror”, me inicativën e drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, zyrtarët komunal së bashku me Policinë e Kosovës, sot kanë vizituar disa zona të lumenjve dhe liqeneve të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët.

Gjatë inspektimit të këtyre zonave përfaqësuesit nga kjo drejtori në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë vlerësuar se zonat me te rrezikuara janë përgjatë Liqenit Artificial duke kërkuar të shtohet numri i shenjave te rrezikut dhe paralajmërimi për vizitorët me anë të shenjëzimeve dhe segmentet për thellësinë, rrymat e ujit si dhe rreziqet tjera të mundshme.

Poashtu, është kërkuar të bëhet edhe vendosja e pengesave (barrierave në afërsi të digave) nga fakti se vrulli i ujit paraqet rrezik kryesisht për fëmijë, thuhet në një njoftim të komunës së Mitrovicës.

Me këtë rast, shefi i sektorit për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni, tha se këto objektiva parashihen të ndërmerren bazuar në planin e veprimit, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt në zonat e lumenjve, dhe liqenit artificial, të cilat po frekuentohen nga një numër i madh i qytetarëve.

Përfaqësuesit komunal kanë shprehur gatishmërinë për të bashkërenduar aktivitetet në krijimin e kushteve dhe sigurisë, si dhe u zotuan se brenda mundësive do të ndërmarrin masat e parapara në plotësim të shenjave dhe barrierave.