Mitrovicë, do të ndërtohen 51 shtëpi për familjet në nevojë

Gjatë ditës së sotme Komuna e Mitrovicës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, për ndërtimin e 40 shtëpive.

Këtë lajm e bëri të ditur komuna e Mitrovicës përmes një komunikate, ku tregoi se për secilën shtëpi komuna do të dhurojë 5 mijë euro.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim humanistin dhe njëkohësisht kryetarin e Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastratin, dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin me këtë shoqatë për ndërtimin e shtëpive për familjet që kanë nevojë.

Ata kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes Komunës së Mitrovicës dhe Shoqatës Bamirëse ”Jetimat e Ballkanit” për realizimin e projektit për ndërtimin e 40 shtëpive për familjet skamnore të cilat nuk e kanë të zgjedhur çështjen e strehimit.

Komuna e Mitrovicës do të participojë me mjete financiare në shumë totale prej 200,000 mijë euro, si dhe ka siguruar pronën komunale për ndërtimin e të gjitha shtëpive për familjet në nevojë.

Po ashtu pjesë e këtij projekti do të jenë edhe Lindrit Misini, pronar i lokalit Missini Sweets, së bashku me ‘Djemtë e Mitrovicës’ të cilët do të ndërtojnë 10 shtëpi për familjet që janë në nevojë.