Ilustrim

Mitrovicë, arrestohen dy të dyshuar pasi i rrahën dy persona të tjerë

Policia ka arrestuar 63 vjeçarin me inicialet I. T. dhe 24 vjeçarin N. T. për lëndim të lehtë trupor dhe armëmbajtje pa leje.

Me anë të një njoftimi Zyra për media e Policisë së Rajonit të Mitrovicës ka njoftuar se në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme në Stacionin Policor në Vushtrri është raportuar dhe është iniciuar një rast me elemente të veprës penale lëndim i lehtë trupor.

“Sipas deklarimit të dy ankuesve/viktimave, bëhet e ditur se ata janë sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj shqiptarë dhe si pasojë e lëndimeve dy viktimat kanë kërkuar tretman mjekësor. Policia ka identifikuar dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar: I. T. 63 vjeç shtetas i Republikës së Kosovës N. T. 24 vjeç shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga të dhënat e para hetimore policia ka thënë se janë ngritur dyshimet se dy të dyshuarit si shkak i një mosmarrëveshje, kanë sulmuar dy viktimat, ndërsa në vendin e ngjarjes në cilësi të provës materiale nga të dyshuarit është konfiskuar një pistoletë dhe një gëzhojë që dyshohet të jetë shkrepur në ajër.

“Të gjitha veprimet policore, si dhe provat materiale i janë paraqitur prokurorit të rastit. Rasti është iniciuar dhe po hetohet si vepër penale ‘lëndim i lehtë trupor’, ‘përdorim i armës’ dhe ‘armëmbajtje pa leje ’”, thuhet tutje në njoftim.

Pas procedurave intervistuese nga ana e prokurorit të rastit dy të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit policor.