Prona e Rafet Zeqirit foto KALLXOcom

Mitrovicasi pretendon se Policia nuk e mori parasysh problemin e tij, Policia e mohon

Rafet Zeqiri, banor i Komunës së Mitrovicës po pretendon se Stacioni i Policisë në Mitrovicë nuk i ka dhënë mundësi ta denoncojë një rast që ka të bëjë më pronën e tij.

Zeqiri në një intervistë dhënë për KALLXO.com ka treguar se pas dëmtimit të pronës së tij nga Komuna e Mitrovicës, ai ka shkuar ta denoncoj këtë rast në Stacionin e Policisë në Mitrovicë, por këta të fundit nuk e kanë marrë parasysh ankesën e tij.

“Me datën 22 tetor kam ardhur në Stacionin e Jugut në Mitrovicë , tek Krimet Ekonomike, për të denoncuar një rast për Komunën, e cila më ka shkaktuar dëme në pronën time si dhe në rrezikimin e lejes së ndërtimit”, tha Zeqiri.

Ai tutje ka sqaruar se dosjen e tij rreth 120 faqe së bashku me sqarime dhe argumentet rreth dëmit që i është bërë nga Komuna e Mitrovicës e ka dorëzuar në Stacionin e Policisë në Mitrovicë, por policia nuk e ka marr deklaratën e tij në lidhje me rastin.

“Gjatë kohës sa unë kam qëndruar rreth 30 minuta me hetuesit e këtij stacionit kemi ardhur në një moment kur para se të merret deklarata ime, ata më thanë që duhet edhe një herë të konsultohemi me pjesën e Veriut pasi që i gjithë materiali i përket pjesës së Jugut, ndërsa prona gjendet në pjesën Veriore të Mitrovicës”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri ka treguar se pas disa takimeve që i kanë bërë zyrtarët policor brenda gjysmë ore sa ai ishte në Stacionin e Policisë, kanë ardhur Njësiti i Krimeve Ekonomike nga Veriu së bashku me hetuesit, ku pjesë e këtij takimi ishte edhe togeri Smajl Rushiti

“Ata u takuan edhe me shefin e Veriut të Krimeve Ekonomike dhe erdhën në përfundim që rasti të mos hapet këtu por të kalohet në Veri. Në ato momente togeri e ka marr dosjen time dhe ka shkruar në Veri dhe më ka thënë se brenda dy ditëve të njoftoj që të vish në pjesën veriore që të hapësh rastin”, shprehet Zeqiri.

Tutje, Zeqiri ka treguar se me datën 24 tetor është takuar me togerin Smajl Rushiti, i cili i ka thënë se deklarata e tij nuk është marr për shkak se nuk ka elemente për të hapur rastin.

“Në zyrën e tij më thotë mua se sipas tij nuk ka elemente të veprës penale kur unë kërkoja përgjigje ai më thotë se kishte kontaktuar me një prokurore, e kishte shqyrtuar lëndën time dhe gjoja se prokurorja ka thënë se lënda të cilët e kam dërguar nuk ka elemente për të hapur rast”.

Zeqiri thotë se ka insistuar që të hap rast për pronën e tij, por togeri Rushiti i ka thënë se është e pamundur të hap rast.

“Unë prapë kam insistuar që të hap rast, por togeri çdo herë më thoshte se prokuroja nuk e ka lënë të hapte rastin. Dhe ai më thotë se duhet të shkoj çoftë me padi private ndërsa nga njësiti i tyre sipas tij është e pamundur të hapet rast pas propozimit të prokurores”.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në lidhje me rastin e Zeqirit dhe arsyetimin pse nuk është marrë deklarata e tij për këtë rast.

Në përgjigjen e Policisë së Kosovës thuhet se janë ndërmarrë të gjitha veprimet zyrtare nga ana e njësiteve policore lidhur me ankesën e Rafet Zeqirit, duke përshirë  trajtimin e ankesës së palës me 22 tetor dhe takimin me përfaqësuesit e autoriteteve komunale të Komunës së Mitrovicës – jugu me date 23 tetor.

“Pas trajtimit të rastit, pas takimit me përfaqësuesit kompetent komunal, si dhe pas kompletimit të të gjitha të gjeturave menjëherë është kontaktuar/konsultuar prokurori kompetent, i cili sipas detyrës zyrtare i ka dhënë udhëzimet zyrtare për palën ankuese, të cilat tanimë i janë bërë të ditura palës, i cili mund të vlerësojë për procedura të mëtejme”, thuhet në përgjigjen e policisë.

https://kallxo.com/video-komuna-nuk-ka-para-per-kompensimin-e-prones-per-rrugen-ne-ndertim/

.