Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ministrja e Mbrojtjes e Bosnjës, Marina Pendes, parakalojnë para gardës së nderit në Sarajevë – Foto: EPA/Fehim Demir

Mish derri në racionet e ushtrisë së Bosnjës

Ministria e Mbrojtjes e Bosnjë-Hercegovinës u nxit të hetojë ushqimet e ushtrisë së Bosnjës pasi u zbulua se ushtarët myslimanë kanë ngrënë pa dashje ushqim derri që është etiketuar si viçi në menytë e tyre ushqimore.

Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të vendit, Shefik Xhaferoviq dhe forca politike më e fortë boshnjake, Partia e Veprimit Demokratik, i kërkuan Ministrisë së Mbrojtjes të hetojë mbi etiketimin jo të saktë të mishit të derrit të emëruar si mish viçi në racionet e Ushtrisë Boshnjake.

Ministria e Mbrojtjes konfirmoi të mërkurën se ushtarët myslimanë kanë konsumuar mish derri pa dashje, njoftoi portali klix.ba.

Ministria zbuloi se dy furnizues të ushqimeve të konservuara dhe produkteve të mishit të gjedhit kishin dorëzuar artikuj që përmbanin mish derri. Emrat e furnizuesve ende nuk janë bërë publike.

“Unë kërkoj që ju të informoni zyrtarisht për të gjitha veprimet që janë ndërmarrë dhe për sanksionet e vendosura ndaj përgjegjësve”, tha Xhaferoviq në një letër për ministren e Mbrojtjes, Marina Pendes.

Partia e Veprimit Demokratik i kërkoi Ministrisë të “padisë furnizuesit që morën pjesë në këtë skandal, dhe të shpallnin publikisht emrat e tyre dhe emrat e saktë të artikujve të diskutueshëm ushqimorë, kështu që myslimanët e tjerë që jetojnë në Bosnje nuk do të blejnë produkte të tilla”.