Nga takimi për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Foto: Zyra e Presidentit

Miratohet  rregullorja dhe plani i  punës së Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin

Ekipi Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, i themeluar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur takimin e radhës dhe ka miratuar rregulloren dhe planin e punës.

Ekipi Përgatitor është themeluar për të ndërtuar infrastrukturë teknike e ligjore për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Sipas njoftimit ai përbëhet nga 4 përfaqësues të institucioneve shtetërore, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, si dhe 5 përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë të proceseve të ballafaqimit me të kaluarën.

Ky ekip vepron që nga 1 maji 2018 dhe takohet në baza të rregullta javore.

Presidenca njoftoi se me miratimin e dokumenteve themelore të Ekipit Përgatitor, tani puna do të përqendrohet në përgatitjen e akteve juridike, dokumenteve dhe hapësirave të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Ndërsa Ekipi Përgatitor ka afat 18 muaj që ta përfundojë punën e vet.