Miratohet rezoluta për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, Kuvendi shkon në pauzë

Me 79 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutën për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë.

Kryetari i Komisionit Ad-hoc për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, Bilall Sherifi, gjatë prezantimit kërkoi që Kuvendi të miratojë këtë rezolutë.

“Me kërkesë të familjarëve kërkoj që të thirren deputetët që janë në objekt të kthehen dhe ta votojmë para se të shkojmë në pauzë. Pas një debati të gjerë ne kemi arrit të përfshijmë disa nga sugjerimet e dala nga deputetët, kështu që tani jemi gati ta votojmë. Komisioni i propozon Kuvendit të miratoj këtë rezolutë për gjenocidin e kryer në Kosovë”, tha ai.

Sherifi ka lexuar pikat e rezolutës me kërkesat ndaj Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, ku më pas u votuan nga deputetët.

Pas këtij votimi, Kuvendi I Kosovës shkoi në pauzë deri në ora 21:00 ku u mbet në gjysmë pika e rendit të ditës për formimin e Komisionit Shtetëror për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar.