Mbledhja e KPK-së | Foto: KALLXO.com

Miratohet Dorëheqja e Prokurorit që Drekoi me të Akuzuarin

Në mbledhjen e sotme Këshilli Prokurorial i Kosovës miratoi dorëheqjen e prokurorit të Ferizajt Visar Musa.

Musa e paraqiti dorëheqjen  në KPK, disa javë pasi nga fundi i tetorit në Emisionin “Drejtësia në Kosovë”u zbulua se ai drekoi me të akuzuarin Raif Rama.

Sipas hulumtimit të “Drejtësisë në Kosovë” Musa po hetonte vëllezërit Rama, ndërsa kishte dalë në drekë me njërin prej tyre.

Musa kishte thënë për “Drejtësinë në Kosovë” se ishte në dijeni se po takohej me të akuzuarin, por sqaroi se takimi ishte iniciuar nga gjykatësi Shabani që ka miqësi me të akuzuarin Rama.

Takimi u konfirmua edhe nga gjykatësi Adem Shabani, por ai duke e pranuar se të akuzuarin Rama e ka të afërm, tha se qëllimi i takimit nuk ishte ndikimi në prokurorin Musa.

‘Dreka e Gabuar’ e Prokurorit me të Akuzuarin

Përveç dorëheqjes së Musës, Këshilli prokuroria i Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi kërkesën e kryeprokurores së Gjakovës Shpresa Bakija për kompensim të pagës gjatë kohës sa ishte e suspenduar.

Bakija ishte suspenduar pasi akuzohej keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe cenim të fshehtësisë së korrespondencës, por Gjykata në Gjilan e liroi atë më 16 qershor, ndërsa më 3 nëntor edhe Gjykata e Apelit ia vërtetoi pafajësinë.

http://kallxo.com/e-pafajshme-shpresa-bakija/

http://kallxo.com/vertetohet-pafajesia-ish-kryeprokurores/

Edhe Shpresa Bakija u akuzua pas një emisioni të “Drejtësisë në Kosovë” të shfaqur në tetor të vitit 2014 në lidhje me rrjedhjen e disa mesazheve të dashurisë nga zyrat e Prokurorisë në Gjakovë për të cilat u raportua në KALLXO.com.

Këshilli Prokurorial themeloi komisionin që do të shqyrtojëe kandidatëve për kryeprokurorë të prokurorive themelore.

Ky komision do të përbëhet nga kryetari Reshat Millaku, ndërsa do të ketë anëtarë Lulzim Sylejmanin dhe Radica Miliqin.

Këshilli miratoi edhe rekomandimin për politikat e trajnimit të vazhdueshëm të prokurorëve dhe personelit administrativ për vitin 2017, ndërsa vendosi që koordinatorit për luftimin e krimit ekonomik t’i mundësohen shpenzime telefonike prej 50 eurove, ndërsa stafi mbështetës i tij do ta ketë lejen për 30 euro shpenzime të tilla.