Ministrja shqiptare e Arsimit takohet në Bujanoc me homologun serb

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, ka njoftuar se është takuar me homologun e saj serb, Mladen Sharçeviq.

Takimi, sipas ministres shqiptare, është zhvilluar në Bujanoc.

Në të, sipas Shahinit, është diskutuar për mungesën e librave në gjuhën shqipe në Serbi.

“Me kërkesë të Z. Ragmi Mustafa, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, sot takova në #Bujanoc homologun serb Z. Mladen Sharçeviq, me të cilin diskutuam problematikën e mungesës së librave shkollorë në gjuhën shqipe në Serbi”, shkroi ajo në “Facebook”.

Sipas ministres shqiptare, u ofruan libra në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë atje, ndërsa njoftoi se u pajtuan edhe për një ekspertizë kurrikulare.

“Ofruam libra shkollorë të sistemit parauniversitar në Shqipëri, të ndryshuara sipas kurrikulës së re, libra të tjerë për bibliotekat shkollore, si dhe ekspertizë kurrikulare – ofertë e cila u pranua në parim. Tani duhet të detajojmë realizimin teknik të planit për arsim cilësor në gjuhën shqipe për shqiptarët në Serbi”, thuhet në njoftimin e ministres Shahini.

Postimi i plotë i besa Shahinit në “Facebook”:

www.kallxo.com