Ministrja pas publikimit të raportit të Komisionit Europian: Nuk është raport plotësisht negativ

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova ndjehet e zhgënjyer me pyetjet rreth liberalizimit të vizave që mori dje pas publikimit të raportit.

Në një diskutim me Grupin për Studime Juridike dhe Politike dhe drejtorin e organizatës Çohu, u fol për rekomandimet e nxjerra nga raporti i Komisionit Europian, ku u kërkua zbatimi i menjëhershëm i atyre rekomandimeve.

Dhurata Hoxha, ministre e Integrimit Europian tha se institucionet e Kosovës qysh dje kanë filluar të shohin mundësitë dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrin që vitin e ardhshëm të kemi një raport më të mirë.

Ajo deklaroi se kanë vendosur që t’i japin prioritet rekomandimeve që po përsëriten nga viti në vit.

“Kemi filluar t’i ndajmë përgjegjësitë sipas dikastereve sepse duhet të jemi të gjithë së bashku. Në raport kemi progres nuk është se nuk kemi progres, veçanërisht reformat në sundimin e ligjit dhe administratën publike. Është dashur të jetë ndonjë rresht edhe për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ua kemi rritur pagat dhe tash kërkojmë që ata të kenë guxim për ta kryer punën e vet”, ka thënë Hoxha.

Sipas ministres, reforma e administratës është edhe pozitive edhe negative sepse, siç tha Hoxha, ende nuk ka përkushtim gjithë-institucional.

“Nuk është raport plotësisht negativ por është raport që e matë se ku jemi sepse nuk jemi as në fillim të procesit të integrimit europian edhe pse zbatimi i MSA-së dhe statusi nuk janë të ndërlidhura mes vete. Na nevojitet një konsensus që ta tregojmë me vepra konkrete sepse raporti i vendit nuk është vetëm i Qeverisë apo i Kuvendit”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë ka thënë se është ndjerë e dëshpëruar nga pyetjet që ka marrë dje pas publikimit të këtij raporti sepse theksoi se raporti përmban rekomandime të detajuara që e ndihmojnë shtetin e Kosovës ndërsa pyetje ishin vetëm për liberalizimin e vizave.

Sipas saj, është shumë e rrezikshme dhe shumë më e shëndetshme nëse kosovarët përqendrohen vetëm në liberalizmin e vizave.

“Raporti 100 faqesh tregoi në detaje për progresin e Kosovës. Para një viti u prezantua strategjia europiane për gjashtë partnerët që kanë perspektivë europiane dhe tani unë do të diskutojë me të gjithë ata që thonë se Kosova nuk ka perspektivë europiane. Duhet të përgatiteni që të bëheni një partner konkurrues. Për vite me radhë ju keni raporte që kritikojnë mungesën e reformave dhe në mënyrë që të mos keni edhe vitin e ardhshëm një raport të tillë, them që të diskutojmë dhe të punojmë për të pasur një më ndryshe.”, ka thënë Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, gjithashtu tha se nevojitet përqendrim në reformat e vërteta sepse sipas saj, ato janë për qytetarët e Kosovës dhe për ta bërë Kosovën vend më të mirë për të jetuar dhe jo për ta kënaqur Bashkimin Europian.

Ajo theksoi se pas publikimit të këtij raporti, janë duke pritur për të parë se me çfarë hapash konkret do të trajtohet ky raport nga institucionet e Kosovës, nga shoqëria civile dhe nga mediat.

“Duhet të përfitoni prej këtyre rekomandimeve në këtë raport sepse ua kanë treguar rrugën që duhet ndjekur. Raporti është një pasqyrë e asaj që po ndodhë në Kosovë.”, ka thënë Apostolova.

Në anën tjetër, Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv në organizatën Çohu propozoi që sa i përket gjyqësorit, të ngritën kapacitetet e stafit ndihmës në sektorin e drejtësisë sepse sipas tij, rritja e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve në nivel rajonal nuk po ndihmon në dënimin e korrupsionit.

Ai përmendi rastin e gjykimit të djeshëm të ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota, ku gjyqtari në fund të seancës i kërkon falje Bashotës për dënimin që ia shqiptoi.

“Dje ka qenë një rast në një medium, ku një gjyqtar i thotë të pandehurit më fal se më duhet me të dënu, e kjo tregon se zyrtarët e lehtë mund të vjedhin dhe të korruptohen sepse gjyqtarëve do t’u vie keq që t’i dënojnë. Edhe kur t’i dënojnë do të jetë me kusht dhe me një gjobë. Ne shohim që zyrtarët e lartë publik janë kategoria më e pasur në Kosovë dhe kur e sheh pagën e tyre ata edhe nëse e ruajnë të gjithën s’mund ta bëjnë atë pasuri.”, ka thënë ai.

Sipas Demhasajt, është shumë e nevojshme nxjerrja e një ligji civil për pasuri të paligjshme sepse siç tregoi ai, në vitin 2017 janë konfiskuar 10 milion pasuri mirëpo në fund kanë mbetur të konfiskuara vetëm 700 mijë.

“Nëse qeveria e Kosovës ka seriozitet me kriju një plan të punës për vitin e ardhshëm, duhet të fillojë me tërheqjen e ligjit për financim të partive politike nga kuvendi dhe me i kthy rekomandimet shoqërisë civile dhe komisionit të Venecias dhe mos me leju që ky projektligj me u denigru në mënyrën se si është denigruar sot.”, ka shtuar ai.

Drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbëresha Loxha tha se Kosova ka nevojë për një qartësim të brendshëm për pronësi qeveritare, për reforma dhe shtytje politike që të na përgatisin që në të ardhmen të çojmë reforma përpara.

Sipas saj, në këtë raport BE tregon se vazhdon të jetë e njëjta në adresimin e çështjeve të mëparshme sepse siç deklaron Loxha, kjo lë të kuptojmë se Kosova është larguar nga qëllimi i saj.

“Raporti vë theksin dhe në vendimmarrjen e qeverisë, sidomos në emërimet në pozita të larta. Raporti vazhdon me tregu që Kosova ende nuk ka reforma në financimin e subjekteve politike. Ai thekson paaftësinë e Kuvendit të Kosovës që ta mbajë në përgjegjësi qeverinë e Kosovës. GLPS i rekomandon Kuvendit që sa më parë të miratojë ligjin për qeverinë e që nënkupton zvogëlimin e ministrave e zv/ministrave në poste të larta.”, ka thënë ajo.

Tutje Loxha rekomandoi që të mos lihen individët me të kaluar korruptive të kandidojnë për poste të larta publike, si dhe të largohet ndikimi politik në drejtësi.

“Nuk kemi zyrtarë të lartë të dënuar për aferat korruptive dhe shpëlarjen e parave, si dhe paaftësia për të trajtuar rastet e shënjestruara apo të profilit të lartë që të trajtohen me efikasitet. Rekomandojmë që qeveria të hartojë një strategji për procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kërkojmë që kuvendi të kërkojë ndryshimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme që të mundësohet konfiskimi i pasurisë edhe jashtë procedurës penale”, ka thënë ajo.

Grupin për Studime Juridike dhe Politike sot organizoi diskutim me temën “Të rikujtojmë të dukshmën – Raporti i Komisionit Europian për Kosovën”.