Foto: Dhurata Hoxha Facebook

Ministrja Hoxha dhe komandanti i KFOR-it D’Addario flasin për sfidat e sigurisë

Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha ka bërë të ditur se ka takuar Komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Majorin Lorenzo D’Addario.

Hoxha përmes Facebook-ut është shprehur se me komandantin e KFOR-it, ka biseduar për sigurinë në rajon.

“Siguria dhe sfidat e sigurisë në rajonin tonë, ishin ndër çështjet që diskutova me Komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Majorin Lorenzo D’Addario, si dhe për sigurinë që ofron kjo forcë e paqes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Ministrja Hoxha ka shtuar se procesi integrues euro-atlantik, është konsensusi i tyre nacional dhe partiak.

“Ne jemi mirënjohës që KFOR-i ka ofruar siguri dhe paqe për vendin tonë, po ashtu, kam theksuar në takim se procesi integrues euro-atlantik është garanca e vetme për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm të rajonit. Procesi integrues euro-atlantik, është konsensusi ynë nacional dhe partiak, pa dallim”,  ka shkruar Hoxha.