Salih Bytyqi, i pari nga e majta, dhe vëllai i tij, ministri Shyqiri Bytyqi, i pari nga e djathta - Foto: Facebook/ Salih Bytyqi

Ministrit i punësohet vëllai në shkollën e fshatit të lindjes

Salih Bytyqi, vëllai i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka gjetur vend pune në shkollën e fshatit të tij të lindjes, raporton KALLXO.com

Pikërisht në këtë shkollë, javë më parë investoi edhe Ministria e Arsimit. Megjithatë, Ministri Bytyqi insiston se nuk ka pasur ndikim në punësimin e të vëllait.

Në prill të këtij viti, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë promovoi një investim në shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Mehdi dhe Sylejman Bytyqi” në fshatin Arllat të Komunës së Drenasit.

Në ditën e kësaj shkolle, me 19 prill, në përurimin e fushës sportive mori pjesë edhe vetë kreu i ministrisë së Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Kjo festë është më e rëndësishme se sa vetëm një ditë e shkollës, kjo pasi që emrat e dy dëshmorëve e madhështojnë këtë shkollë. Mehdi dhe Sylejman Bytyqi ranë për lirinë që ne sot e gëzojmë”, pati deklaruar ministri Bytyqi.

Një muaj pas, më 17 maj, një vendim i Komunës së Drenasit pranoi në punë vëllain e ministrit të Arsimit  në pozitën “Tekniko-Shërbyes”, në shkollën “Mehdi dhe Sylejman Bytyqi” në vendlindjen e ministrit, Shyqiri Bytyqi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe drejtori i shkollës në Arllat, Bejzë Bytyqi.

“Po, është punësuar vëllai i ministrit si punëtor tenik, pastrues. Ai ka qenë procedurë e rregullt, konkursi ka qenë publik dhe ka pasur të drejtë të aplikoj çdokush”, ka thënë drejtori i shkollës për KALLXO.com.

Për punësimin e vëllait të tij, Salihut, ka folur edhe vetë ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi. Ai ka thënë se nuk ka ndikuar që të punësohet vëllai në shkollën e fshatit prej nga vjen.

“Absolutisht nuk kam ndikuar sepse nuk është ajo çështje e jona, ajo është në kompetencën e Komunës së Drenasit. Asnjë ndikim nuk kam pasur, shto këtu që ai e ka pavarësinë e vetë nuk mund të ja dirigjoj a me apliku apo jo. Merrni informacione të sakta, prej DKA-së prej Komunës nëse kam pasur ndikim, nëse del diçka më njoftoni se edhe unë dua të dij”, ka thënë ministri Bytyqi për KALLXO.com.

Ndërsa, vetë Salih Bytyqi, vëllau i ministrit, Shyqiri Bytyqi ka thënë shkurt se mund të pyesni në komunë, nëse ka pasur ndonjë ndikim që të punësohem.

“Shkoni vetni në komunë, mos më pengoni mua, shkoni atje ju jep sqarime kryetari i komunës se qysh jam punësu”, ka thënë shkurt ai.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kryetari i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Tafil Halilaj ka thënë se nuk e kishte ditur që është vëllai i ministrit, Sallih Bytyqi.

“Po, është punëtor tekno- shërbyes, është punësuar para dy muajve. Unë për vete veç kur e kam ditë masanej, as që më ka interesuar se kush është. Komisioni e ka vlerësuar si më të mirin, as që kam hy andej”, tha ai.

“Absolutisht, jam i bindur që nuk ka ndkuar askush te komisioni im për me intervenu me e marrë atë në punë”, ka thënë tutje Halilaj.