Vetura Zyrtare në bregdet

Ministria tregon pse ishte vetura zyrtare në bregdetin shqiptar

Një veturë zyrtare e Kosovës ishte parë në bregdetin shqiptar më 29 prill (e hënë), përkatësisht në Lagunën e Patokut në Shqipëri, ku zyrtarë të Ministrisë së Financave ishin ndalur për të drekuar.

Se automjeti me targat 3Z -138-06, i përket Ministrisë së Financave (MF), e ka konfirmuar për KALLXO.com, Ministria e Administratës Publike.

Kurse, Muharrem Shahini, drejtor i Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave, në një përgjigje për KALLXO.com,  ka thënë se vetura ka qenë në shfrytëzim nga vetë ai  dhe kolegu i tij, Shpetim Hajzeraj, i cili mban pozitën zyrtar për qasje në dokumente publike.

“Vetura zyrtare Golf V është e Ministrisë së Financave, dhe të autorizuar nga MF kanë qenë unë Muharrem Shahini dhe Shpetim Hajzeraj për vozitje  të kësaj veture”, thuhet në përgjigje.

Shahini ka shtuar se në Shqipëri kanë qenë të ftuar për një ceremoni të ndarjes së çmimeve të mbajtur në Tiranë, ndërkaq arsyeja e ndalesës në Lagunën e Patokut, sipas tij, ka qenë për të drekuar.

“Po ju përgjigjem duke ju sqaruar se ne kemi qenë të ftuar në cilësinë e finalistit si përfaqësues të Ministrisë se Financave – Republika e Kosovës për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kryesore në mbrëmjen GALA e cila është organizuar në Tiranë nga ICT Awards, më datë 29 dhe 30 prill 2019. Ku Ministria e Financave, e përfaqësuar nga zyrtarët e Zyrës për Komunikim  është shpërblyer si finalist për çmimin “Shërbimi Publik më i mirë i vitit” me portalin e transparencës”, vijon përgjigjja e tij përmes postës elektronike.

Sipas Shahinit, me këtë çmim ky eveniment shpërblen praktikat më të mira, risitë, avancimin e platformave, projekteve, aplikacioneve ose zgjidhjeve të implementuara në administratën publike dhe Qeveri.

“Ky shpërblim përbën një njohje prestigjioze të përsosmërisë (ose ekselencës) në shërbime publike. Ndërsa arsyeja e ndalesës në Lagunën e Patokut është për të drekuar”, thuhet në sqarimin e zyrtarit të ministrisë.

Ndërkaq, ceremonia e ndarjes së çmimeve nga edicioni i 7-të i garës mbarëkombëtare në fushën e teknologjisë dhe informacionit është mbajtur në mbrëmjen e 30 prillit 2019.

“Ditën e Martë datë 30 Prill 2019 përkon me aktivitetin përmbyllës të kësaj ngjarje, Mbrëmja Gala, pas një maratone 90 ditore në kërkim, indentifikim dhe shpërblim të shpirtit novator, produktiv, sipërmarrës dhe teknologjik të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Albanian ICT Awards.

Se Ministria e Financave, e përfaqësuar nga zyrtarët e Zyrës për Komunikim Publik, ka marrë pjesë në ceremoninë gala të ndarjes së çmimeve Albanian ICT Aëards, thuhet edhe në një publikim në ueb sajt të ministrisë.

“Me këtë çmim ky eveniment shpërblen praktikat më të mira, risitë, avancimin e platformave, projekteve, aplikacioneve ose zgjidhjeve të implementuara në administratën publike dhe Qeveri. Ky shpërblim përbën një njohje prestigjioze të përsosmërisë (ose ekselencës) në shërbime publike”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar në mbledhjen e së enjtes një vendim me të cilin synon t`ua ndalojë zyrtarëve shtetëror keqshfrytëzimin e veturave zyrtare.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se me këtë do të kërkojnë nga Policia e Kosovës t`ua kërkojë autorizimin zyrtarë nëse e kanë të aprovuar të kalojnë kufijtë me vetura zyrtare.

“Të miratohet vendimi me të cilin urdhërohen zyrtarët që përdorimi i veturave të zyrtarëve ta bëjnë me autorizim dhe në mënyrë strikte”, tha kryeministri.

KALLXO.com ka raportuar disa herë për “shëtitje” e zyrtarëve të shtetit me vetura zyrtare nëpër pika turistike bregdetare të Shqipërisë dhe të Malit të Zi.