Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

Ministria Premton Nisjen e Ndërtimit të Stadiumit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilës sivjet i është rritur buxheti për 60 për qind, synon që shumicën e milionëve të ndarë t’i përdorë për investime në infrastrukturë.

Ministria sivjet do të ketë 13 milionë më shumë buxhet se vjet, pasi i janë ndarë nga qeveria 33 milionë euro. Vjet MKRS-së iu dhanë me buxhet vetëm 20 milionë euro.

Nga këta 33 milionë euro, 21 synojnë të përdoren për projekte infrastrukturore, ndërsa 17 milionë euro planifikohen të jepen për investime në sport.

Faton Peci, këshilltari i ministrit Kujtim Shala, bëri të ditur për KALLXO.com se gjatë 2017-ës MKRS-ja do synojë fillimin e ndërtimit të stadiumit nacional.

“Ne si ministri synojmë gjatë këtij viti fillimin e ndërtimit të Stadiumit nacional. Kjo gjithsesi se varet edhe nga përfundimi i procedurave nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës. Ne si ministri i kemi kryer obligimet që varen prej nesh,” tha Peci.

Megjithatë sivjet për këtë stadium janë planifikuar vetëm 50 mijë euro, ndërsa në 2018-ën do ndahen 400 mijë euro, e në 2019-ën 5.6 milionë euro.

Në maj të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi se qeveria stadiumin kombëtar e kishte planifikuar që nga viti 2014, pa çuar përpara procedurat.

http://kallxo.com/vendimi-qe-26-muaj-procedurat-per-stadiumin-askund/

Edhe pse vjet Koosva u pranua në UEFA dhe FIFA, ekipet kosovare nuk u lejuan të marrin pjesë në gara europiane për mungesë infrastrukture, ndërsa kombëtarja kosovare ndeshjet e futbollit si vendase po i zhvillon në Shkodër.

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri në fund të dhjetorit të vitit 2016 tha për KALLXO.com se ka frikë që Kosova mund të përjashtohet nga mekanizmat ndërkombëtarë të futbollit për mungëesë infrastrukture.

http://kallxo.com/vokrri-mund-te-perjashtohemi-nga-uefa-e-fifa/

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit planifikon sivjet edhe dy milionë euro për renovimin e stadiumit të Prishtinës.

UEFA e kishte refuzuar projektin e parë të renovimit të këtij stadiumi, duke kërkuar plotësime të tij.

http://kallxo.com/mkrs-si-ka-problem-parate-per-renovimin-e-stadiumit/

Për 2017-ën është paraparë edhe renovimi i stadiumit “Adem Jashari” të Mitrovicës për të cilin janë ndarë 650 mijë euro.

Stadiumet tjera që priten të renovohen gjatë 2017-ës,  sipas planifikimit të buxhetit të MKRS-së, janë: stadiumi i Gjilanit,  Suharekës dhe Ferizajt.

Ndarjen e më shumë se gjysmës së mjeteve për sport, Faton Peci, këshilltari i ministrit Kujtim Shala e arsyeton me nevojat e Kosovës për përmirësimin e infrastrukturës sportive.

“Arsye tjetër është nevoja e madhe që kemi si vend në infrastrukturën sportive në të gjitha sportet dhe disiplinat, si dhe rritja e përkrahjes edhe për grupet rinore,” tha Peci për KALLXO.com.

Për zhvillim dhe përkrahje të rinisë, MKRS-ja ka planifikuar investime kapitale në 5 qendra rinore të qyteteve të Kosovës me vlerë totale prej 900 mijë euro.

Gjatë vitit 2017 kjo ministri ka paraparë edhe ndërtimin e shtëpisë së kulturës në Obiliq, Suharekë dhe ndërtimin e qendrës kulturore turke në Prishtinë.