Ministria ndan 130 mijë euro për renovimin e Muzeut Etnologjik

Ministria e Kulturës planifikon që këtë vit të nisë renovimin e objektit kryesor të kompleksit të Muzeut Etnologjik, i njohur ndryshe edhe si Emin Gjiku.

Për këtë ka ndarë 130 mijë euro, ndërsa punimet pritet të nisin tek pasi të përzgjidhet ftuesi i tenderit.

Renovimi i objektit të Etnologjikut nisi në tetor të 2017, por nuk zgjati më shumë se deri në dhjetor të atij viti. Që nga dhjetori i 2017 nuk janë regjistruar punime në këtë objekt.

Zyrtarë të MKRS kanë deklaruar për KALLXO.com se për këtë viti për renovimin e objektit kanë ndarë 130 mijë euro.

Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se MKRS  gjatë vitit të kaluar ka iniciuar hartimin e projektit zbatues të konservimit- restaurimit për ndërtesën kryesore në kuadër të Kompleksit Etnologjik “Emin Gjiku”.

Projekti, sipas tij, është hartuar se bashku me projektin- konceptin e ekspozitës brenda, pa ndryshuar përmbajtjen që njihet “Cikli i jetës”, por do të ketë disa ndryshime në mënyrën dhe format e prezantimit.

“Për vitin 2019 Ministria ka planifikuar buxhetin në shumën prej 135.000 euro dhe procedura e tenderimit do të hapet këtë javë ( 20-24 maj 2019)”, ka thënë Hoxha.

Gjatë vitit 2017, sipas tij,  janë ndërmarrë vetëm aktivitete me qëllim të dokumentimit të gjendjes dhe ndërhyrjes emergjente.

“Buxheti i zotuar ka qenë 30.000 euro, të shpenzuara 14.918.78 euro dhe 15.081.22 janë kthyer si kërkesë e Ministrisë se Financave ( çështje e adresuar ne Raportin e ZKA-se)”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com.