Endrit Shala

Ministria e Tregtisë i kërkon ‘Wolswagen-it’ të investojë në Kosovë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që udhëhiqet nga Endrit Shala ka kërkuar zyrtarisht nga kompania e veturave ‘ Wolswagen’ që të investojë në Kosovë.

Në një njoftim të kësaj ministrie në “Facebook”, thuhet se në fillim të muajit prill, kompanisë Volkswagen i është dërguar një letër- ofertë që të investojë në Kosovë.

“Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, më 4 prill të këtij viti edhe zyrtarisht i ka dërguar letër-ofertë bordit të drejtorëve të kompanisë Volkswagen që kjo kompani të investojë në Kosovë në fabrikën e re që pritet të hapet në Ballkan”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministri kosovar krerët e kompanisë Volkswagen i njoftoi edhe për kushtet që ofron Kosova për të gjitha kompanitë që dëshirojnë të investojnë në vend.

“Ministri Shala në letrën tij e ka njoftuar Presidentin e bordit të kësaj kompanie z.Deiss në lidhje me kushtet që ofron Republika e Kosovës për investime. Shala në letrën e tij ka njoftuar udhëheqësit e kësaj kompanie për preferencat e kosovarëve për Wolkswagen dhe historinë e industrisë së automobilave në Kosovë”, thuhet tutje.

Sipas njoftimit, ditëve në vijim, ministri Shala planifikon dërgimin e ofertave të ngjashme edhe kompanive tjera.