Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme sqaron mungesën e certifikatave nëpër komuna

Komuna e Prishtinës gjatë ditës së sotme ka njoftuar se zyra e Gjendjes Civile do të jetë në funksion vetëm deri në orën 12:00 për shkak të anulimit të tenderit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me certifikata nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka dështuar furnizimi me certifikata në të gjitha Komunat.

Pas njoftimit të Komunës, Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate ka njoftuar se Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me kohë ka planifikuar inicimin e zhvillimit të procedurave të prokurimit për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile për Zyrat Komunale të Gjendjes Civile, mirëpo për arsye procedurale  ende nuk është përzgjedhur operatori për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile.

“Më këtë rast Agjencia e Regjistrimit Civil, si organi më i lartë i gjendjes civile në Republikën e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha Zyrat Komunale të Gjendjes Civile në Kosovë që në mungesë të formularëve të përdorën metodat alternative”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sipas Ministrisë, Agjencia e Regjistrimit Civil  u ka dërguar një njoftim të gjitha zyrave të gjendjes civile, që në mungesë të formularëve(dokumenteve të gjendjes civile), me qëllim të realizmit të drejtave të qytetarëve për pajisje me dokumente të gjendjes civile, nga sot më datë 28.03.2019, të fillohet me lëshimin e dokumenteve me letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile, deri në njoftimin tjetër.

MPB ka njoftuar se këto dokumente do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

“Kërkojmë ndjesë nga qytetarët e Kosovës për mungesat e formularëve, megjithatë shërbimi për qytetarët do të vazhdojë të mbetët një prej prioriteteve tona më të rëndësishme”, thuhet në komunikatë.